×
Sunday, June 28, 2026

Rama mbron librin “The Albanian Files”: Po sulmohet nga “inkuizicioni” i protestës

June 28, 2026


Kryeministri Edi Rama e nisi episodin e radhës të podcastit “Flasim” me librin “The Albanian Files” në dorë, duke reaguar ndaj kritikave që, sipas tij, janë drejtuar ndaj këtij botimi. Ai e cilësoi situatën si një “inkuizicion” të lindur nga klima e protestave, duke mbrojtur librin si një projekt editorial të pavarur që përmbledh kontributet e 60 arkitektëve dhe studiove me reputacion ndërkombëtar që kanë punuar në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit.

Rama theksoi se libri nuk është botim i tij dhe se roli i tij është kufizuar vetëm në shkrimin e parathënies, me ftesë të botuesve.

“Është një botim i ri që përmbledh punët, projektet dhe idetë e 60 arkitektëve e studiove me reputacion të padiskutueshëm ndërkombëtar, të cilët i bashkon Shqipëria. Nuk dua të flas për librin, por për një inkuizicion që ka nisur ndaj tij. Është një projekt editorial tërësisht i pavarur dhe përmbledh kontributet e studiove që kanë punuar në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit”, u shpreh ai.

Kryeministri kritikoi reagimet ndaj një letre të arkitektit Reinier de Graaf, e përfshirë në libër, duke theksuar se ajo është një tekst me karakter ironik dhe satirik, i shkruar në stilin e autorit, dhe jo një deklaratë politike.

Sipas Ramës, autonomia editoriale është respektuar plotësisht gjatë përgatitjes së librit dhe secili autor ka zgjedhur vetë projektet, tekstet dhe reflektimet që ka dashur të përfshijë.

“Përfshirja e letrës së hapur të Reinier de Graaf është dëshmi e kësaj autonomie. Nuk ka pasur redaktim apo censurë. Nëse do të ishte një botim propagandistik apo i kontrolluar politikisht, ai tekst nuk do të ishte aty”, tha Rama.

Ai shtoi se titulli “The Albanian Files” është vetë një referencë ironike ndaj së kaluarës së Shqipërisë, duke theksuar se “dosjet” në këtë rast janë të hapura për publikun dhe përfaqësojnë transparencën e autorëve.

Në përfundim, Rama akuzoi kritikët se po e përdorin librin si pjesë të sulmeve politike ndaj tij, duke argumentuar se po injorohet karakteri artistik dhe kritik i veprës dhe i autorëve që kanë kontribuar në të.




Comments are closed.