Rama publikon pamje nga Bënja: Ujërat termale janë funksionale, pretendimet për “tharje” janë të pavërteta
Kryeministri Edi Rama e nisi këtë të diel me një postim në rrjetet sociale, ku publikoi pamje nga Ujërat Termale të Bënjës në Përmet, duke theksuar se ato janë “pasqyrë e realitetit të punës së përkushtuar për Shqipërinë Turistike”.
Në videon e publikuar shfaqen vizitorë që shijojnë vaskat termale, turistë që bëjnë rafting, çiklistë dhe pushues që eksplorojnë peizazhin natyror të zonës.
“MIRËMËNGJES, dhe me Ujërat Termale të Bënjës, pasqyrë e realitetit të punës së përkushtuar për Shqipërinë Turistike, ju uroj të diel të qetë”, shkruan Rama në postimin e tij.
Publikimi vjen pas debatit të ditëve të fundit, ku në media dhe rrjete sociale u raportua se burimet termale ishin tharë dhe se turistët kishin mbetur të zhgënjyer gjatë sezonit veror.
Në ditët e fundit, kryeministri ka publikuar disa video nga Bënja, ku shfaqen turistë të shumtë duke vizituar zonën dhe duke marrë pjesë në aktivitete në natyrë. Mbrëmjen e së shtunës, në këtë destinacion turistik u organizua edhe një festë.
Përmes pamjeve të publikuara, Rama synon të tregojë se ujërat termale vijojnë të jenë funksionale dhe se zona mbetet një destinacion i frekuentuar, ndërsa i cilëson pretendimet për “tharjen” e burimeve si përpjekje për të krijuar artificialisht pakënaqësi publike.







