Shqipëria dhe Kosova nënshkruajnë dy marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit në bujqësi
Shqipëria dhe Kosova kanë nënshkruar në Tiranë dy marrëveshje bashkëpunimi në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, me synim forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe mbështetjen e sektorit agroushqimor.
Marrëveshjet u firmosën gjatë vizitës në Tiranë të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Armend Muja.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, tha se marrëveshjet konkretizojnë angazhimet e marra në takimin e zhvilluar në Prishtinë gjatë muajit prill dhe përfaqësojnë një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Sipas Sallës, njëra marrëveshje fokusohet në zhvillimin e shërbimeve këshillimore bujqësore, transferimin e teknologjive dhe nxitjen e inovacionit, ndërsa tjetra synon marketingun, promovimin dhe lehtësimin e tregtimit të produkteve agroushqimore.
Ministri theksoi se bujqësia mbetet një sektor strategjik për Shqipërinë dhe Kosovën, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, punësimin dhe garantimin e sigurisë ushqimore.
Ai shtoi se marrëveshja për promovimin e produkteve agroushqimore synon rritjen e konkurrueshmërisë në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, përmes koordinimit të aktiviteteve promovuese, pjesëmarrjes në panaire dhe bashkëpunimit mes operatorëve ekonomikë të të dy vendeve.
Ndërkohë, marrëveshja për shërbimet këshillimore dhe inovacionin parashikon modernizimin e sektorit bujqësor, përmirësimin dhe digjitalizimin e shërbimeve për fermerët, si dhe mbështetjen e tyre me teknologji dhe zgjidhje inovative që rrisin produktivitetin.
Salla theksoi se këto marrëveshje krijojnë gjithashtu mundësi të reja për pjesëmarrje në programe dhe projekte të Bashkimit Evropian, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi do të sjellë rezultate konkrete dhe afatgjata për fermerët dhe sipërmarrësit agroushqimorë në Shqipëri dhe Kosovë.







