×
Friday, June 26, 2026

Lamallari: Policia me plan të posaçëm për sezonin veror, 35 motorë uji dhe dronë për sigurinë në bregdet

June 26, 2026


Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, prezantoi sot në Durrës planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik veror 2026, duke bërë të ditur se Policia e Shtetit do të jetë në gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe turistëve.

Në aktivitet, ku morën pjesë edhe drejtues të Policisë së Shtetit, Lamallari theksoi se Policia e Shtetit, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare do të operojnë me kapacitete të shtuara, teknologji moderne dhe patrullime intensive përgjatë gjithë sezonit.

“Ka vite që Shqipëria po përjeton një moment të jashtëzakonshëm zhvillimi në turizëm. Turizmi është një nga sektorët më jetikë të ekonomisë sonë, por ky sukses sjell edhe më shumë përgjegjësi. Kur një turist zgjedh Shqipërinë, ai zgjedh një vend të sigurt”, deklaroi ministri.

Sipas tij, turistët kontribuojnë jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në promovimin e imazhit të Shqipërisë, ndaj institucionet kanë detyrimin t’ua kthejnë këtë besim me siguri dhe shërbime cilësore.

Lamallari bëri të ditur se Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash për të përballuar fluksin e lartë të vizitorëve gjatë verës.

“Jemi gati me të gjitha kapacitetet tona. Kemi marrë masat e nevojshme për të garantuar një sezon të sigurt, të qetë dhe të suksesshëm”, tha ai.

Ministri vlerësoi rolin e Njësisë Policore Detare në garantimin e sigurisë në plazhe dhe parandalimin e incidenteve me mjetet lundruese. Ai kujtoi se kjo njësi, e krijuar në vitin 2023, është shndërruar në një strukturë kyçe për sigurinë në hapësirën detare.

Sipas të dhënave të prezantuara, gjatë vitit 2025 Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare u kanë ardhur në ndihmë 231 qytetarëve dhe 80 mjeteve lundruese në vështirësi, ndërsa kanë kontrolluar mbi 5.600 mjete lundruese dhe kanë ndëshkuar shkeljet që rrezikonin sigurinë e pushuesve.

Për sezonin veror 2026, Njësia Policore Detare do të jetë e pranishme në të gjithë vijën bregdetare me 35 motorë uji, personel të trajnuar, patrullime intensive dhe monitorim nga ajri me dronë.

Ndërkohë, Policia Kufitare do të përdorë teknologji të reja dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me sistemin TIMS për të përshpejtuar procedurat e hyrjes dhe daljes për jahtet, velierat dhe mjetet e tjera lundruese që vizitojnë Shqipërinë.




Comments are closed.