×
Wednesday, June 24, 2026

Kurti: Për koalicionet flasim pas certifikimit të rezultateve

June 23, 2026


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje do të nisë komunikimet me partitë politike për mundësinë e krijimit të koalicioneve vetëm pas certifikimit zyrtar të rezultateve zgjedhore.

I pyetur nga gazetarët pas ceremonisë hapëse të edicionit të tetë të Festivalit Multikulturor dhe Ekspozitës Mobile “KRAH”, Kurti u shpreh shkurt se çdo diskutim për bashkëpunime politike do të vijë pasi të përfundojnë procedurat zgjedhore.

“Kur të certifikohen rezultatet japim përgjigje”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka shpallur ende rezultatet përfundimtare. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se procesi varet nga përfundimi i ankesave dhe vendimet që do të merren nga institucionet kompetente.

Sipas rezultateve paraprake, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 mandate në Kuvendin e Kosovës, duke u renditur forca e parë politike. Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 18 mandate, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 7 deputetë.

Me këtë rezultat, Vetëvendosje konsiderohet në pozita të favorshme për formimin e qeverisë së re, pa pasur nevojë për një koalicion me partitë e tjera shqiptare.

Megjithatë, vendimet për hapat e ardhshëm politikë pritet të bëhen të qarta vetëm pas certifikimit të rezultateve dhe përmbylljes së të gjitha procedurave ligjore të procesit zgjedhor.




Comments are closed.