Ministrja gjermane: SHBA nuk mund të shkojë në Hënë pa Europën
Ministrja gjermane për Hapësirën, Dorothee Bär, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk mund të realizojnë misionet e tyre drejt Hënës pa teknologjinë dhe kontributin e Europës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik në sektorin hapësinor.
Në një intervistë për Politico, Bär u shpreh se Gjermania dhe Europa vazhdojnë të luajnë një rol kyç në programet amerikane të eksplorimit të hapësirës.
“Gjermania dhe Europa ofrojnë teknologji kritike për misionet amerikane në hapësirë. Prandaj mund të themi me besim: pa ne nuk bëhet”, deklaroi ministrja.
Ajo solli si shembull Modulin Europian të Shërbimit për anijen Orion të NASA-s, i cili siguron energjinë elektrike, shtytjen, kontrollin termik, ajrin dhe ujin për ekuipazhin gjatë misioneve drejt Hënës. Moduli ndërtohet në qytetin Bremen të Gjermanisë në kuadër të programit të Agjencisë Europiane të Hapësirës (ESA).
Bär përmendi gjithashtu kompaninë gjermane Jena-Optronik, e cila prodhon sisteme navigimi që ndihmojnë anijen Orion të përcaktojë orientimin e saj në hapësirë.
Deklaratat e saj vijnë në një periudhë kur në të dy anët e Atlantikut po zhvillohen diskutime mbi pavarësinë teknologjike dhe kontrollin e teknologjive strategjike. Sipas ministres, varësia në sektorin hapësinor nuk është e njëanshme.
“Varësia nuk është vetëm e Europës nga SHBA-ja. Ajo funksionon në të dy drejtimet”, theksoi ajo.
Duke folur për konkurrencën globale në hapësirë, ministrja gjermane paralajmëroi se vendet perëndimore nuk duhet të nënvlerësojnë rivalët e tyre strategjikë.
“Flasim shumë për Shtetet e Bashkuara. Në të njëjtën kohë nuk duhet të harrojmë se në anën tjetër po formohet një aleancë e fortë mes Rusisë, Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit. Nuk dua që këto vende ta fitojnë garën në hapësirë”, tha Bär.
Ajo shprehu gjithashtu shqetësimin se rregulloret e reja europiane mund të ngadalësojnë zhvillimin e industrisë hapësinore në kontinent.
“Ne duam të ulim burokracinë, por në të njëjtën kohë vazhdojmë të krijojmë kërkesa të reja”, deklaroi ministrja, duke bërë të ditur se Gjermania po përgatit një ligj të ri kombëtar për hapësirën me synim përshpejtimin e zhvillimit dhe përdorimit të teknologjive të avancuara.







