Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se marrëveshja për t’i dhënë fund përplasjeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të nënshkruhet gjatë ditës së sotme, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm drejt stabilizimit të situatës në Lindjen e Mesme.
Deklarata e Trump vjen në ditën e 80-vjetorit të lindjes së tij, ndërsa sipas raportimeve të CNN, negociatorë nga Katari udhëtuan këtë mëngjes drejt Teheranit në koordinim me SHBA-në për të ndihmuar në finalizimin e marrëveshjes mes dy vendeve.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se hyrja në fuqi e marrëveshjes do të sjellë edhe rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për tregtinë globale të energjisë.
“Marrëveshja me Iranin do të nënshkruhet sot dhe menjëherë pas kësaj, Ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur për të gjithë. Ne mezi presim të punojmë me Iranin dhe të gjithë Lindjen e Mesme për një kohë të gjatë. Shpresojmë që ky proces të jetë i shpejtë, i lehtë dhe pa probleme”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan paralajmëroi gjithashtu se Uashingtoni disponon një “alternativë përfundimtare” në rast se procesi nuk ecën sipas pritshmërive.
“Ne kemi një alternativë përfundimtare, të cilën shpresoj të mos na duhet ta përdorim më kurrë”, shtoi ai.
Megjithatë, nga Teherani kanë ardhur sinjale më të rezervuara. Forcat e Gardës Revolucionare Islamike mohuan se një marrëveshje do të nënshkruhet gjatë ditës së sotme dhe kritikuan atë që e quajtën “këmbëngulje të pazakontë” të Trump për të shpallur afate konkrete.
Sipas mediave iraniane, Garda Revolucionare e konsideroi njoftimin e presidentit amerikan si të nxituar dhe e përshkroi situatën si një “provë për ekipin negociator iranian”, duke theksuar se kushtet e memorandumit ende nuk janë finalizuar.