Një marrëveshje kornizë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit duket më afër se kurrë, por nënshkrimi i saj mbetet ende i pasigurt për shkak të mosmarrëveshjeve mbi disa çështje kyçe, veçanërisht kontrollin e Ngushticës së Hormuzit.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se memorandumi i mirëkuptimit mes Uashingtonit dhe Teheranit mund të nënshkruhet së shpejti, duke theksuar se menjëherë pas arritjes së marrëveshjes, Ngushtica e Hormuzit do të rihapet plotësisht për trafikun ndërkombëtar. Ai ripostoi në rrjetet sociale deklaratat e ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, sipas të cilit marrëveshja “nuk ka qenë kurrë kaq afër”, si edhe komentet e kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif, vendi i të cilit ka luajtur rol ndërmjetësues në negociata.
Megjithatë, sinjalet nga Teherani mbeten më të rezervuara. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi se një marrëveshje mund të arrihet në ditët në vijim, por përjashtoi mundësinë e një nënshkrimi të menjëhershëm. Edhe Gardianët e Revolucionit kanë shprehur skepticizëm, duke e cilësuar nxitimin e Trump si të pajustifikuar, pasi sipas tyre memorandumi nuk është finalizuar ende.
Sipas raportimeve, palët po diskutojnë ende mbi disa nga çështjet më të ndjeshme të negociatave. Pika kryesore e përplasjes mbetet Ngushtica e Hormuzit. SHBA kërkon rihapjen e plotë dhe të pakushtëzuar të korridorit strategjik detar, ndërsa Irani synon të ruajë kontrollin e tij mbi tranzitin dhe të vendosë tarifa për anijet që kalojnë nëpër ngushticë.
Në draftet e publikuara nga mediat iraniane përfshihen gjithashtu kërkesa për heqjen e bllokadës detare amerikane, reduktimin e pranisë ushtarake të SHBA-së në rajon dhe lehtësimin e sanksioneve ndaj sektorit energjetik iranian.
Trump i ka konsideruar disa prej këtyre kërkesave si të papranueshme dhe ka paralajmëruar se Uashingtoni disponon alternativa të tjera nëse procesi diplomatik dështon.
Ndërkohë, në Izrael po shtohen shqetësimet për përmbajtjen e marrëveshjes së mundshme. Mediat izraelite raportojnë se qeveria e Benjamin Netanyahut e sheh me rezervë draftin aktual, duke argumentuar se disa prej kushteve të diskutuara mund të ndikojnë negativisht në sigurinë e Izraelit dhe në balancat strategjike të rajonit.
Pavarësisht optimizmit të shprehur nga ndërmjetësit dhe administrata amerikane, negociatat mbeten ende të hapura, ndërsa finalizimi i marrëveshjes varet nga zgjidhja e çështjeve që vazhdojnë të ndajnë Uashingtonin dhe Teheranin.