×
Friday, June 12, 2026

Gonxhja: Ulja e rezervimeve turistike është sinjal alarmi, operatorët raportojnë rënie me 40%

June 12, 2026


Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar lidhur me shqetësimet e ngritura nga operatorët turistikë në Durrës për ecurinë e sezonit veror, duke paralajmëruar se rënia e rezervimeve po ndikon drejtpërdrejt në sektorin e turizmit.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Gonxhja bëri të ditur se operatorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, si “Dertour” dhe “Schauinsland”, kanë raportuar një ulje prej rreth 40% të rezervimeve për sezonin aktual.

“Ky nuk është thjesht një shqetësim i biznesit privat, por një sinjal që meriton vëmendjen e të gjithë aktorëve të përfshirë në sektor”, u shpreh ministri.

Sipas tij, turizmi mbështetet mbi besimin, sigurinë dhe imazhin e destinacionit, ndërsa perceptimi që krijohet në tregjet e huaja ndikon drejtpërdrejt në vendimmarrjen e turistëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Pas çdo shifre dhe përqindjeje qëndrojnë investime, vende pune, biznese familjare dhe mijëra qytetarë që e kanë turizmin burimin kryesor të të ardhurave”, theksoi Gonxhja.

Ai shtoi se çdo veprim që dëmton imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik ka pasoja konkrete për ekonominë dhe punësimin, ndërsa kërkoi që shqetësimet e sektorit të merren seriozisht.

Nga ana e tij, operatori turistik Fatos Cerenishti deklaroi se dy kompani të mëdha gjermane kanë pezulluar bashkëpunimin, duke sjellë një reduktim të ndjeshëm të rezervimeve.

Ai i bëri thirrje Ministrisë së Turizmit të intensifikojë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë për t’i siguruar se situata në Shqipëri është normale dhe se protestat e zhvilluara nuk do të ndikojnë në mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Sipas operatorëve, ruajtja e besimit të tregjeve të huaja mbetet thelbësore për suksesin e sezonit veror dhe për vijimin e investimeve në industrinë e turizmit.




Comments are closed.