×
Friday, June 12, 2026

Rama vlerëson Fatos Nanon në 35-vjetorin e PS: Kam bërë gabime, por ia kemi ngritur kokën Shqipërisë

June 12, 2026


Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi festimet e 35-vjetorit të Partisë Socialiste për të shprehur mirënjohje ndaj figurave historike të kësaj force politike, duke veçuar ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e PS-së, Fatos Nano.

Në fjalën e tij, Rama tha se pavarësisht periudhave të vështira dhe përplasjeve që kanë karakterizuar marrëdhënien mes tyre ndër vite, ai ruan një vlerësim të veçantë për Nanon dhe kontributin e tij në historinë e Partisë Socialiste.

“Dua të veçoj Fatos Nanon, si pasardhës i tij. Pavarësisht se në vitet e fundit marrëdhënia jonë kaloi edhe në faza dramatike, ai mbetet për mua një figurë me vlerësim të veçantë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë kujtoi gjithashtu veteranët dhe kontribuuesit e hershëm të Partisë Socialiste, duke vlerësuar mbështetjen që i kanë dhënë në fillimet e angazhimit të tij politik.

“Sikundër nuk mund të harroj veteranët e luftës, që më vunë krahë të fortë edhe pse në fillim më pritën me këmbët e para”, tha ai.

Në një reflektim mbi rrugëtimin e tij politik, Rama pranoi se gjatë viteve ka bërë gabime dhe se nuk pretendon të ketë qenë i pagabueshëm.

“Nuk pretendoj se kam bërë gjithçka mirë, se kam qenë i pagabueshëm apo se nuk i kam hyrë në hak askujt. Kam gabuar jo njëherë dhe, edhe pse nuk kam dashur t’i hyj në hak askujt, ka shumë gjasa që ta kem bërë”, deklaroi ai.

Megjithatë, Rama theksoi se ndihet krenar për kontributin e tij në drejtimin e Partisë Socialiste dhe në përfaqësimin e Shqipërisë.

“Jam krenar që i kam dhënë dhe do t’i jap Partisë Socialiste gjithçka që kërkohet nga një lider dhe se ia kemi ngritur kokën Shqipërisë dhe çdo shqiptari”, u shpreh kryeministri.




Comments are closed.