Rama: Shqipëria ka më shumë miq se kurrë, nuk do të lejojmë që të kthehet në shesh beteje kundër SHBA-së
Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje socialistëve të jenë krenarë për arritjet e Partisë Socialiste gjatë 35 viteve të ekzistencës së saj, duke theksuar se Shqipëria gëzon sot një pozicion më të fortë se kurrë në arenën ndërkombëtare.
Gjatë fjalës së mbajtur në festimet e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, Rama renditi disa prej zhvillimeve që, sipas tij, kanë transformuar vendin dhe kanë forcuar imazhin e Shqipërisë në botë.
Sipas kryeministrit, Shqipëria ka sot marrëdhënie të shkëlqyera me partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, Izraelin, Turqinë dhe vendet e Lindjes së Mesme.
“Shqipëria nuk ka pasur kurrë kaq shumë miq të rëndësishëm sa ka sot dhe kjo është rezultat i punës, seriozitetit dhe kredibilitetit që vendi ka ndërtuar në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Rama.
Ai kritikoi ashpër ato që i cilësoi si përpjekje të lobimeve të huaja antisemite dhe antiamerikane për të ndikuar në debatin publik në Shqipëri.
Sipas tij, ka tentativa për ta shndërruar vendin në një arenë përplasjesh kundër investimeve amerikane dhe në një tribunë të propagandës antisemite, gjë që, sipas Ramës, bie ndesh me interesat strategjike të Shqipërisë.
Kryeministri theksoi se protestat për çështjet mjedisore janë legjitime dhe të drejta, por paralajmëroi se ato nuk duhet të manipulohen apo të përdoren nga aktorë të jashtëm për qëllime politike apo ideologjike.
“Jam i vetëdijshëm që shumë prej shqetësimeve për mjedisin janë genuine dhe shqiptare, por ndërhyrjet e huaja po përpiqen t’i deformojnë dhe t’i përdorin kundër interesave të Shqipërisë”, deklaroi ai.
Rama u bëri thirrje socialistëve të mbrojnë arritjet e vendit dhe të mos bien pre e narrativave që, sipas tij, synojnë të dëmtojnë marrëdhëniet strategjike të Shqipërisë me aleatët e saj ndërkombëtarë.







