×
Friday, June 12, 2026

Netanyahu: Për sa kohë të jem kryeministër, Irani nuk do të ketë armë bërthamore

June 12, 2026


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka përsëritur zotimin e tij se Izraeli nuk do të lejojë kurrë Iranin të pajiset me armë bërthamore, në një kohë kur po qarkullojnë raportime për një marrëveshje të mundshme paraprake mes SHBA-së dhe Iranit.

Në një postim në rrjetin social X, Netanyahu tha se ai dhe presidenti amerikan Donald Trump ndajnë të njëjtin qëndrim për programin bërthamor iranian.

“Unë dhe presidenti Trump jemi plotësisht dakord për këtë çështje. Për më shumë se 30 vjet kam qenë në vijën e parë të luftës ndërkombëtare kundër programit bërthamor të Iranit”, shkroi ai.

Sipas Netanyahut, përpjekjet e Izraelit dhe aleatëve të tij kanë penguar Teheranin të sigurojë armë atomike shumë vite më parë.

“Po të mos ishte për këtë luftë, Irani do të kishte zotëruar prej kohësh bomba atomike për të shkatërruar Izraelin”, deklaroi kryeministri izraelit.

Ai akuzoi Iranin se synon shkatërrimin e shtetit hebre dhe theksoi se angazhimi i tij politik ka qenë i përqendruar në parandalimin e këtij skenari.

“Irani po punon për të shkatërruar shtetin hebre dhe unë po ia kushtoj jetën time parandalimit të tyre që ta bëjnë këtë. Për sa kohë që unë jam kryeministër i Izraelit, kjo nuk do të ndodhë”, përfundoi Netanyahu.

Deklaratat e tij vijnë në një moment kur mediat ndërkombëtare raportojnë se Uashingtoni dhe Teherani mund të jenë më pranë arritjes së një marrëveshjeje paraprake, e cila synon të krijojë kushtet për negociata më të gjera dhe për uljen e tensioneve në rajon.




Comments are closed.