Hoxha: Shqipëria në fazën vendimtare të integrimit, synojmë mbylljen e negociatave brenda vitit 2027
June 11, 2026
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se Shqipëria ka hyrë në fazën më të rëndësishme të procesit të integrimit europian, duke theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet objektivi kryesor kombëtar dhe një projekt që gëzon mbështetjen e të gjithë spektrit politik dhe shoqërisë shqiptare.
Gjatë një konference për shtyp me gazetarë nga vendet e Bashkimit Evropian, Hoxha prezantoi ecurinë e procesit të integrimit dhe angazhimin e institucioneve shqiptare për realizimin e objektivit të anëtarësimit në BE.
Ministri u shpreh se, pavarësisht vështirësive dhe ritmit të ngadaltë që ka karakterizuar procesin në periudha të ndryshme, Shqipëria ndodhet sot në një moment vendimtar.
“Ky nuk është thjesht një objektiv politik apo një prioritet i politikës së jashtme. Është objektivi ynë kombëtar. E veçanta e Shqipërisë është se ky proces mbështetet nga i gjithë spektri politik dhe nga e gjithë shoqëria shqiptare. Nuk ka asnjë forcë politike që të mos mbështesë anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian”, tha Hoxha.
Ai theksoi se integrimi europian ka qenë busulla e Shqipërisë që nga rënia e komunizmit dhe se çdo reformë, ligj apo politikë publike është ndërtuar mbi këtë synim strategjik.
Sipas ministrit, procesi i negociatave kërkon angazhim të vazhdueshëm nga të gjitha institucionet dhe nuk mund të konsiderohet si përgjegjësi e një ekipi të vogël negociator.
“Ky është një proces pa pushim, një punë 24 orë në ditë, që kërkon kontributin e të gjithëve. Reformat janë fjala kyçe e këtij procesi dhe ato përfshijnë të gjithë administratën, institucionet e pavarura, parlamentin dhe shoqërinë në tërësi. Askush nuk është i përjashtuar nga ky projekt kombëtar”, deklaroi ai.
Hoxha vlerësoi progresin e deritanishëm, duke kujtuar se Shqipëria ka arritur të hapë të 33 kapitujt e negociatave dhe të gjashtë grupkapitujt brenda vetëm 11 muajve.
Sipas tij, ky rezultat është arritur falë përgatitjes së ekipit negociator, angazhimit të institucioneve shqiptare dhe bashkëpunimit të ngushtë me Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së.
“E bëmë sepse ishim të përgatitur, sepse kishim një ekip negociator fantastik, sepse kishim mbështetje dhe vendosmëri politike, por edhe sepse patëm partneritet të shkëlqyer me institucionet e Bashkimit Evropian dhe mirëkuptimin e vendeve anëtare”, tha ministri.
Ai u ndal edhe te përmbushja e piketave të ndërmjetme, të cilat i cilësoi si testin e parë madhor të Shqipërisë në procesin negociues.
“Shqipëria përmbushi 24 kriteret e përcaktuara, të përkthyera në 92 masa konkrete. Ky ishte provimi i parë serioz dhe tregoi se vendi ka kapacitetin dhe gatishmërinë për të përmbushur detyrimet e marra. Tani kemi hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve”, u shpreh Hoxha.
Ministri ritheksoi objektivin ambicioz të qeverisë për të përfunduar negociatat brenda vitit 2027, duke e cilësuar këtë synim si realist dhe të bazuar në progresin e arritur deri tani.
“Kemi një ambicie të qartë për të mbyllur të gjithë kapitujt vitin e ardhshëm. Kjo nuk është një dëshirë apo ëndërr, por një objektiv i ndërtuar mbi planifikim, qartësi të objektivave dhe vendosmëri të fortë institucionale”, deklaroi ai.
Hoxha foli edhe për konceptin e integrimit gradual, duke theksuar se përfitimet për vendet kandidate duhet të vijnë përpara anëtarësimit të plotë, por pa e zëvendësuar atë.
“Integrimi gradual duhet të nënkuptojë më shumë akses përpara anëtarësimit, por jo shtyrje të procesit apo krijimin e një salle pritjeje. Shqipëria po përmbush reformat dhe pret që Bashkimi Evropian të mbajë pjesën e vet të zotimit. Ata që japin rezultate duhet të shpërblehen mbi bazën e meritës”, tha ministri.
Në fund, Hoxha nënvizoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është në interes të vetë Evropës dhe jo vetëm të vendeve kandidate.
“Ne nuk kemi plan B. Kemi vetëm një plan dhe ai është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Prandaj është e rëndësishme që të ruajmë këtë ritëm dhe që procesi të mbetet i bazuar në meritë. Nëse Evropa nuk merret me fqinjët e saj, atëherë rrezikon të dëmtojë besueshmërinë e vet”, përfundoi ministri.