Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për përshkallëzimin e vazhdueshëm të tensioneve në Lindjen e Mesme, pas sulmeve të fundit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Përmes një deklarate të bërë publike nga zëdhënësi i tij, Guterres u bëri thirrje të gjitha palëve të rikthehen në zbatimin e plotë të armëpushimit dhe të respektojnë detyrimet që burojnë nga e drejta ndërkombëtare, veçanërisht ato që lidhen me mbrojtjen e civilëve.
Sipas OKB-së, zhvillimet e fundit rrezikojnë të minojnë përpjekjet për stabilitet në rajon dhe të përkeqësojnë situatën humanitare në një zonë tashmë të prekur nga konflikte të shumta.
Guterres theksoi gjithashtu nevojën për një angazhim më të madh diplomatik, duke u bërë thirrje Uashingtonit dhe Teheranit që të intensifikojnë përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje paqësore dhe afatgjatë.
“Sekretari i Përgjithshëm u bën thirrje SHBA-së dhe Iranit që të dyfishojnë përpjekjet për një marrëveshje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, në interes të paqes dhe sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.
Reagimi i kreut të OKB-së vjen në një moment kur tensionet mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm, duke shtuar shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar për rrezikun e një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme.