Karakaçi mbron koncesionin Thumanë-Kashar: Investimi arrin 1 miliard euro, shteti nuk pagoi ndërtimin e veprës
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, mbrojti sot në Kuvend koncesionin e autostradës Thumanë-Vorë-Kashar, duke e cilësuar atë një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në kuadër të Korridorit Adriatiko-Jonian dhe integrimit rajonal të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë interpelancës së kërkuar nga opozita lidhur me kontratën koncesionare për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e aksit rrugor, Karakaçi theksoi se autostrada ka rëndësi strategjike kombëtare pasi lidh veriun e vendit me qendrën dhe rajonet e tjera të Shqipërisë.
Sipas ministrit, investimi total i koncesionarit, i cili përfshin ndërtimin e veprës, mirëmbajtjen rutinë dhe të thelluar, kostot operative, interesat bankare, pagesën e TVSH-së dhe tatimfitimin, është përllogaritur në rreth 1 miliard euro gjatë gjithë periudhës së kontratës.
“Ndërkohë, të ardhurat e pritshme nga operimi i këtij aksi janë vlerësuar në rreth 1.3 miliardë euro për një periudhë 35-vjeçare”, deklaroi Karakaçi.
Ministri sqaroi se koncesionari nuk mbulon vetëm ndërtimin fillestar të rrugës, por edhe mirëmbajtjen afatgjatë të saj, menaxhimin operacional dhe riskun e trafikut për disa dekada.
Ai theksoi se raporti mes investimit dhe fitimit të pritshëm konsiderohet brenda standardeve ndërkombëtare për projekte të kësaj natyre.
Karakaçi nënvizoi se modeli i zgjedhur është një koncesion i pastër, ku financimi i investimit kryhet tërësisht nga kompania koncesionare.
“Shteti shqiptar nuk pagoi për ndërtimin e veprës, siç parashikohej në projektin e mëparshëm. Angazhimi i shtetit kufizohet vetëm te garancia e trafikut për tetë vitet e para, me një vlerë maksimale prej 22.8 milionë euro”, tha ai.
Sipas ministrit, kohëzgjatja 35-vjeçare e kontratës është e arsyeshme dhe e nevojshme për të garantuar kthimin e investimit dhe qëndrueshmërinë ekonomike të projektit.
Në përfundim, Karakaçi theksoi se autostrada është tashmë funksionale dhe në shërbim të qytetarëve, duke lehtësuar qarkullimin dhe duke përmirësuar ndërlidhjen mes zonave kryesore të vendit.







