×
Thursday, June 11, 2026

NASA nis ndërtimin e bazës në Hënë, kontrata qindra milionë dollarëshe për misionet “Artemis”

June 11, 2026


NASA ka hedhur një hap të ri drejt krijimit të një pranie të përhershme njerëzore në Hënë, duke nisur porositjen e mjeteve të uljes, automjeteve eksploruese dhe dronëve që do të përdoren për ndërtimin e një baze hënore pranë polit jugor të satelitit natyror të Tokës.

Sipas Associated Press, agjencia amerikane e hapësirës ka prezantuar fazën e parë të projektit ambicioz, vetëm dy muaj pas fluturimit historik të misionit Artemis II rreth Hënës. Në këtë kuadër, NASA ka dhënë kontrata me vlerë qindra miliona dollarë për katër kompani amerikane.

Kompania “Blue Origin”, në pronësi të Jeff Bezos, do të furnizojë dy mjete uljeje që do të transportojnë automjete eksploruese në sipërfaqen hënore. Automjetet do të ndërtohen nga kompanitë “Astrolab” dhe “Lunar Outpost”.

Ndërkohë, kompania “Firefly Aerospace”, e cila realizoi me sukses një ulje në Hënë vitin e kaluar, do të jetë përgjegjëse për dërgimin e dronëve të parë në sipërfaqen hënore.

NASA synon që këto pajisje të mbërrijnë në Hënë përpara uljes së astronautëve të parë të programit Artemis, e cila parashikohet të ndodhë jo më herët se viti 2028.

Gjatë misionit Artemis II në prill, katër astronautë fluturuan rreth Hënës, duke shënuar udhëtimin më të largët njerëzor në hapësirë që nga epoka e misioneve Apollo.

Për misionin Artemis III, të planifikuar për vitin 2027, astronautët do të testojnë procedurat e bashkimit në orbitën e Tokës mes kapsulës Orion të NASA-s dhe mjeteve hënore që po zhvillohen nga Blue Origin dhe SpaceX e Elon Musk.

Sipas planit të NASA-s, faza e dytë e projektit, që do të shtrihet nga viti 2029 deri në fillim të viteve 2030, do të përfshijë ndërtimin e infrastrukturës së përhershme në Hënë, duke përfshirë rrjete energjetike dhe sisteme mbështetëse për jetën.

Në fazën e tretë, gjatë viteve 2030, baza hënore pritet të jetë në gjendje të mbështesë qëndrime afatgjata të astronautëve në habitate të përhershme.

“Pastaj do të mund të themi: ‘Ne jemi këtu përgjithmonë dhe nuk do të largohemi’”, deklaroi Carlos Garcia-Galan, drejtues i programit të bazës hënore të NASA-s.

Sipas tij, baza mund të shtrihet në qindra milje katrore dhe do të monitorohet nga dronë të posaçëm të quajtur “MoonFall”, të cilët do të vendosen përgjatë kufijve të zonës operative.

Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, tha se projekti synon jo vetëm zhvillimin e kërkimit shkencor, por edhe krijimin e një ekonomie të re në Hënë dhe përgatitjen e ekspeditave të ardhshme drejt Marsit.

“Për ata që kanë pritur me durim, rikthimi i madh është shumë afër dhe ne nuk do të ngadalësojmë ritmin. Në fakt, sapo kemi filluar”, u shpreh Isaacman.




Comments are closed.