×
Thursday, June 11, 2026

Merz: Gjermania do ta mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme

June 11, 2026


Kancelari gjerman Friedrich Merz riafirmoi sot mbështetjen e Gjermanisë për Ukrainën në përballjen me agresionin rus, duke theksuar se Berlini do të vazhdojë të qëndrojë në krah të Kievit për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Gjatë një fjalimi në Bundestag, dhoma e ulët e parlamentit gjerman, Merz deklaroi se objektivi mbetet arritja e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, e cila merr në konsideratë edhe interesat e sigurisë së Evropës.

“Ne e mbështetëm Ukrainën dje, e mbështesim sot dhe do ta mbështesim edhe nesër, për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, u shpreh kancelari gjerman.

Sipas tij, Gjermania po forcon njëkohësisht krahun lindor të NATO-s për t’iu përgjigjur asaj që e cilësoi si gatishmëri të vazhdueshme të Rusisë për përshkallëzim të konfliktit, ndërsa mbështet përpjekjet diplomatike për arritjen e paqes.

Merz theksoi se një zgjidhje e qëndrueshme mund të vijë vetëm përmes negociatave ku të përfshihen Ukraina, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa.

“Një paqe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes negociatave. Nuk ka rrugë tjetër”, deklaroi ai.

Kancelari nënvizoi se Ukraina nuk po mbron vetëm sovranitetin dhe lirinë e saj, por edhe sigurinë dhe vlerat demokratike të gjithë Evropës. Ai shtoi se Ukraina i përket familjes evropiane dhe në të ardhmen duhet të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Në fjalën e tij, Merz kritikoi ashpër partinë e ekstremit të djathtë Alternative për Gjermaninë (AfD), duke iu referuar vizitave të disa deputetëve të saj në Rusi gjatë javëve të fundit.

“Ju qeshni me fatin e miliona njerëzve në këtë vend dhe udhëtoni në Moskë për pritjet tuaja me shampanjë. Udhëtim të mbarë”, deklaroi Merz, duke shkaktuar reagime në sallën e parlamentit.

Deklaratat e kancelarit vijnë në një moment kur lufta në Ukrainë vijon të mbetet një nga sfidat kryesore të sigurisë për Evropën dhe aleancën euroatlantike.




Comments are closed.