Peleshi në Athinë: Integrimi i Shqipërisë në BE, investim strategjik për të ardhmen e rajonit
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi një takim në Athinë me kryetarin e Komisionit për Çështjet Evropiane dhe nënkryetarin e parë të Parlamentit grek, Ioannis Plakiotakis, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit parlamentar dhe mbështetja për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Gjatë takimit, palët vlerësuan marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Greqisë, si edhe rolin e diplomacisë parlamentare në thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe avancimin e agjendës evropiane në rajon.
Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë ndaj rrugëtimit evropian të Shqipërisë, duke e cilësuar zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor si një investim strategjik për të ardhmen e përbashkët të rajonit.
“Integrimi i Shqipërisë dhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE mbetet një faktor kyç për më shumë zhvillim ekonomik dhe stabilitet, në dobi të qytetarëve tanë dhe të vetë projektit evropian”, u shpreh Peleshi.
Takimi riafirmoi angazhimin e të dyja palëve për vijimin e dialogut dhe forcimin e bashkëpunimit parlamentar në mbështetje të objektivave të përbashkëta evropiane.







