Nufi në SHBA: Shqipëria dhe Garda Kombëtare e Nju-Xhersit drejt një kapitulli të ri bashkëpunimi ushtarak
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, zhvilluan një takim në Shtetet e Bashkuara me gjeneral brigade Yvonne L. Mays, adjutante e përgjithshme e Shtetit të Nju-Xhersit dhe komisionere për Çështjet Ushtarake.
Gjatë takimit u vlerësua partneriteti 25-vjeçar mes Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në modernizimin dhe forcimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura shqiptare.
Në fokus të diskutimeve ishin forcimi i Trupës së Nënoficerëve, zhvillimi i edukimit ushtarak, rritja e kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike, mbështetja për funksionalitetin e plotë të Bazës Ajrore të Kuçovës, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit në kuadër të NATO-s dhe sigurisë euroatlantike.
Ministri Nufi vlerësoi veçanërisht kontributin e Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit në ngritjen profesionale të Trupës së Nënoficerëve përmes programeve të trajnimit, mentorimit dhe shkëmbimit të përvojave, duke theksuar ndikimin e drejtpërdrejtë të këtij bashkëpunimi në rritjen e standardeve të Forcave të Armatosura.
Palët diskutuan gjithashtu mbi sfidat aktuale të sigurisë dhe nevojën për rritjen e investimeve në mbrojtje, në përputhje me angazhimet e Aleancës Atlantike.
Takimi konfirmoi vullnetin e përbashkët për të thelluar më tej partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit, në funksion të forcimit të sigurisë, stabilitetit dhe paqes në rajon dhe më gjerë.
Në përfundim të takimit, ministri Ermal Nufi i akordoi gjeneral brigade Yvonne L. Mays “Medaljen e Artë të Shërbimit Ushtarak”, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj të veçantë në forcimin e bashkëpunimit ushtarak mes dy forcave dhe mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.







