Shqipëria renditet e para në Europë për interesin ndaj futbollit, me 78% të të rriturve që deklarojnë se e ndjekin ose interesohen për këtë sport. Ky është përfundimi kryesor i raportit “UEFA Grow Market Research”, i prezantuar sot në “Shtëpinë e Futbollit” nga Federata Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me UEFA dhe agjencinë kërkimore Nielsen Sports.
Në aktivitet morën pjesë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, përfaqësues të UEFA-s, partnerë institucionalë dhe përfaqësues të medias.
Sipas raportit, niveli i interesit për futbollin në Shqipëri është dukshëm mbi mesataren europiane prej 48%, ndërsa ka shënuar një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin 2016, kur ky tregues ishte 65%.
Duke folur në prezantimin e raportit, Duka e cilësoi rezultatin si një lajm pozitiv, por edhe si një përgjegjësi për institucionet e futbollit.
“Shqipëria renditet e para në Europë për interesin ndaj futbollit, me 78% të njerëzve që shprehin interes për këtë sport. Ky është një lajm i mirë dhe obligues në të njëjtën kohë”, u shpreh ai.
Raporti evidenton gjithashtu se futbolli mbetet sporti më i praktikuar në vend. Sipas të dhënave, 34% e të rriturve dhe 41% e fëmijëve angazhohen në aktivitete futbollistike, shifra që lidhen edhe me projektet e zhvilluara nga FSHF-ja dhe investimet në infrastrukturën sportive.
Një tjetër tregues pozitiv është rritja e interesit për Kombëtarja Shqiptare e Futbollit. Mbështetja për ekipin kombëtar ka arritur në 66%, nga 61% që ishte në vitin 2016. Ndërkohë, është rritur edhe ndërgjegjësimi për ekipet kombëtare të moshave dhe për kombëtaren e vajzave.
Raporti vlerëson gjithashtu imazhin e futbollit si sporti më pozitiv në Shqipëri, me një vlerësim mesatar prej 7.5 pikësh nga 10, duke lënë pas sporte të tjera si volejbolli dhe atletika.
Sa i përket perceptimit ndaj FSHF-së, studimi tregon se 47% e të anketuarve kanë opinion shumë pozitiv për institucionin, ndërsa vlerësimi mesatar i imazhit të Federatës arrin në 7 nga 10, mbi mesataren europiane dhe mbi nivelin e federatave të tjera sportive në vend.
Sipas raportit, faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë perceptim pozitiv janë rezultatet e Kombëtares, përmirësimi i infrastrukturës sportive, zhvillimi i futbollit në të gjitha nivelet dhe investimet e realizuara gjatë viteve të fundit.
Raporti “UEFA Grow Market Research” pritet të shërbejë si një udhërrëfyes për FSHF-në në hartimin e strategjive të ardhshme, me synimin për të forcuar më tej zhvillimin e futbollit dhe për të ruajtur pozicionin e tij si sporti më i ndjekur dhe më i dashur nga shqiptarët.