×
Thursday, June 4, 2026

Costa nga Prishtina: Kosovës i duhen institucione të forta dhe funksionale për rrugën drejt BE-së

June 3, 2026


Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, zhvilloi një vizitë zyrtare në Prishtinë në kuadër të turit të tij në Ballkanin Perëndimor, ku u takua me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe përfaqësues të partive politike.

Gjatë vizitës, Costa theksoi se Bashkimi Evropian mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit, por nënvizoi se përgjegjësitë kryesore për përparimin e vendit i takojnë institucioneve vendase.

“Mesazhi im për liderët politikë ishte i thjeshtë: partneriteti vjen me përgjegjësi. BE-ja e mbështet Kosovën, por nuk mund t’i kryejë detyrat e shtëpisë së Kosovës. Kosovës i duhen institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale”, deklaroi Costa.

Presidenti i Këshillit Evropian ritheksoi se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, por theksoi se nevojiten rezultate konkrete në procesin e reformave dhe në zbatimin e angazhimeve të marra në kuadër të integrimit evropian.

“Jemi pajtuar në agjendën e reformave, në procesin drejt anëtarësimit në BE. Është shumë e rëndësishme që Kosova hap pas hapi të japë rezultate në ato që jemi pajtuar. Vlerësimi është që në fund të procesit të mos kemi asnjë problem nga ana e BE-së. Ajo që duhet për momentin është një konsensus i madh kombëtar në lidhje me anëtarësimin në BE dhe kjo duhet të përkthehet në veprime konkrete”, u shpreh ai.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Costa zhvilloi takime edhe me liderët e partive politike, me të cilët diskutoi zhvillimet e fundit politike dhe ndikimin e tyre në procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se disa mospajtime mes institucioneve dhe qeverisë kanë ndikuar në avancimin e disa proceseve që lidhen me integrimin evropian.

“Ka pasur mospajtime për disa çështje me qeverinë dhe ata prisnin që këto mospajtime të tejkalohen në mënyrë që Kosova dhe BE-ja të ulen dhe të flasin për këta hapa substancialë që kërkojnë mbështetje politike”, tha Osmani.

Ndërkohë, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi rëndësinë e një politike të jashtme që mbron interesat shtetërore dhe orientimin euroatlantik të Kosovës.

“Kosovës i duhet një politikë e jashtme që i mbron interesat tona shtetare, historike dhe vizionin euroatlantik që e kemi”, deklaroi Abdixhiku.

Nga ana e tij, Adrian Gjini u shpreh se integrimi në Bashkimin Evropian dhe NATO mbetet objektivi kryesor strategjik i Kosovës.

“Integrimi evropian dhe integrimi në NATO nuk kanë alternativë për popullin e Kosovës”, tha ai.

Pas vizitës në Prishtinë, Antonio Costa do të vijojë turin e tij rajonal në Beograd, ndërsa do ta përmbyllë në Mal të Zi, në prag të Samitit BE–Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tivat.




Comments are closed.