BE përgatitet të hapë grupkapitullin e parë të negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë pas zhbllokimit të vetos hungareze
Bashkimi Evropian ka nisur përgatitjet për hapjen zyrtare të grupkapitullit të parë të negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit europian të dy vendeve.
Sipas njoftimit të presidencës qipriote të Bashkimit Evropian, hapja e fazës së parë të negociatave mund të formalizohet më 15 qershor gjatë takimit të ministrave të BE-së në Luksemburg.
Ky zhvillim vjen pas një periudhe gati dyvjeçare bllokimi, që pengoi avancimin e procesit pavarësisht se Bashkimi Evropian hapi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë në qershor të vitit 2024.
Procesi u pengua kryesisht nga vetoja e Hungarisë, e cila kishte ngritur shqetësime lidhur me të drejtat e pakicës hungareze në Ukrainë. Megjithatë, situata duket se ka ndryshuar pas largimit nga pushteti të ish-kryeministrit hungarez Viktor Orbán.
Pasardhësi i tij, Peter Magyar, bëri të ditur se Hungaria dhe Ukraina kanë arritur një marrëveshje për forcimin e të drejtave të pakicës hungareze në territorin ukrainas, duke hequr kështu një nga pengesat kryesore për mbështetjen e Budapestit ndaj procesit të integrimit europian të Kievit.
Grupkapitulli i parë që pritet të hapet fokusohet te çështjet themelore, të cilat konsiderohen baza e procesit të anëtarësimit. Ai përfshin reforma në fushën e shtetit të së drejtës, sistemit të drejtësisë, administratës publike, luftës kundër korrupsionit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore.
Zyrtarët europianë e konsiderojnë këtë hap si vendimtar për të dy vendet kandidate, veçanërisht në një moment kur Bashkimi Evropian po përpiqet të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike me vendet e Evropës Lindore.
Megjithatë, procesi i anëtarësimit mbetet i gjatë dhe kompleks. Negociatat ndahen në gjashtë grupkapituj tematikë dhe përparimi në secilin prej tyre varet nga përmbushja e reformave dhe standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian.
Eksperienca e vendeve të tjera tregon se hapja e negociatave nuk garanton automatikisht anëtarësimin. Një shembull i qartë është Turqia, e cila nisi negociatat me BE-në në vitin 2005, por procesi ka mbetur prej vitesh pothuajse i ngrirë për shkak të shqetësimeve lidhur me demokracinë, shtetin e së drejtës dhe respektimin e të drejtave themelore.
Për Ukrainën dhe Moldavinë, hapja e grupkapitullit të parë shihet si një sinjal i fortë politik nga Bashkimi Evropian dhe një konfirmim i mbështetjes për rrugën e tyre europiane, në një kohë kur të dy vendet përballen me sfida të rëndësishme gjeopolitike dhe të sigurisë.







