×
Tuesday, June 2, 2026

Sala dhe Nufi inspektojnë punimet te Trauma: Shërbimi vijon pa ndërprerje

June 2, 2026


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, inspektuan ecurinë e punimeve në Spitalin Universitar të Traumës, ku po zbatohet një nga projektet më të rëndësishme të modernizimit të infrastrukturës spitalore në vend.

Gjatë vizitës në bllokun operator, i cili po i nënshtrohet një rikonstruksioni dhe modernizimi të plotë, ministrja Sala theksoi se punimet po avancojnë sipas planit, ndërsa shërbimi për pacientët vazhdon pa ndërprerje.

“Pavarësisht procesit të rikonstruksionit, shërbimi në Spitalin Universitar të Traumës po vijon pa ndërprerje. Stafi mjekësor po punon me dy turne dhe me standarde të larta profesionale për të garantuar trajtim cilësor dhe të sigurt për çdo pacient. Ky është një shembull i menaxhimit efikas të një investimi madhor, pa cenuar aksesin e qytetarëve në shërbimet shëndetësore”, u shpreh Sala.

Ajo theksoi se investimi do të krijojë një strukturë moderne spitalore, me kushte bashkëkohore pune për personelin shëndetësor dhe kapacitete më të mëdha për trajtimin e pacientëve, duke rritur cilësinë e shërbimeve të traumës në nivel kombëtar.

Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, vlerësoi rolin kyç të Spitalit Universitar të Traumës në sistemin shëndetësor shqiptar, duke theksuar se ai përballon një numër të lartë rastesh nga e gjithë vendi.

Nufi u ndal edhe te rëndësia e ngritjes së polit të ri të traumës në Veri, i cili sipas tij do të ndihmojë në shpërndarjen më të balancuar të fluksit të pacientëve dhe në rritjen e efikasitetit të sistemit shëndetësor.

Spitali Universitar i Traumës mbetet një nga institucionet më të rëndësishme të kujdesit shëndetësor në Shqipëri, duke ofruar trajtim të specializuar për rastet e traumës dhe urgjencave të rënda, si dhe shërbime të avancuara spitalore për qytetarët në mbarë vendin.




Comments are closed.