Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së zhvilluar para Kryeministrisë kundër projektit investues në Zvërnec, duke ftuar një grup përfaqësuesish të protestuesve në një bashkëbisedim publik për këtë çështje.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh i gatshëm të diskutojë për çdo shqetësim që lidhet me projektin, transparencën, investimet, mjedisin dhe çështje të tjera me interes publik.
“Mblidhuni, jo më shumë se 20 vetë dhe bujrum, ulemi në një bashkëbisedim publik, ku të doni dhe kur të doni”, shkroi kryeministri.
Duke iu referuar thirrjeve dhe sharjeve të dëgjuara gjatë protestës, Rama theksoi se debatet duhet të fokusohen te çështjet publike dhe jo te sulmet personale.
“Sepse robt e shtëpive tona janë interes privat dhe të tillë duhet të mbeten them unë apo jo?”, u shpreh ai.
Kryeministri tha se mbetet i hapur për të dëgjuar çdo argument lidhur me Zvërnecin, pronat, investimet e huaja, mbrojtjen e natyrës, transparencën dhe zhvillimin e zonës.
“Deri atëherë, mua këtu më keni, gjithmonë gati për t’ju dëgjuar, nëse doni të flasim për Zvërnecin, për arrogancën, për dhunën, për mosinformimin, për transparencën, për pronat, për investimet e huaja, për natyrën, flamingot, shqiponjat, apo për çdo çështje tjetër me interes publik”, deklaroi Rama.
Në fund të reagimit, ai shtoi:
“Nëse doni, natyrisht. Se po nuk deshët, prapë i kemi punët tona të ndara: ju në kor me robt e shtëpisë time, unë në krye të punëve të Shqipërisë, me votën e shqiptarëve, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”.


