×
Tuesday, June 2, 2026

Rama: Costa, një mik i çmuar i Shqipërisë dhe mbështetës i palodhur i integrimit

June 2, 2026


Kryeministri Edi Rama vlerësoi Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, si një mik të çmuar të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Tiranë.

Pas Bosnjë-Hercegovinës, Tirana ishte ndalesa e radhës në turin ballkanik të Costës, përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tivat të Malit të Zi.

“Më duhet t’i uroj mirëseardhje për herë të pestë një miku gjithmonë e më të vendosur dhe të çmuar të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, mbështetës i palodhur qysh në krye të herës”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë falënderoi Costën për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, veçanërisht në fazën e fundit të negociatave me Bashkimin Europian.

“Dua ta falënderoj sot Antonion posaçërisht për angazhimin e tij dhe mbështetjen e palodhur, edhe përpara se ne të realizonim mbylljen e fazës së çeljes së kapitujve me konferencë ndërqeveritare dhe hapjen e fazës së mbylljes së kapitujve”, tha Rama.

Sipas tij, progresi drejt anëtarësimit në BE varet mbi të gjitha nga puna dhe reformat që duhet të realizojë vetë Shqipëria.

“Ne kemi detyra për të përmbushur, jo për hir të Brukselit apo Berlinit e Parisit, por për hir të përmirësimit të performancës së shtetit tonë”, deklaroi kryeministri.

Rama theksoi se në këtë fazë të procesit, prioritet mbetet zbatimi i reformave dhe ligjeve të miratuara në kuadër të integrimit europian.

Ai bëri të ditur se gjatë takimit me Costën është diskutuar edhe për sfidat që shoqërojnë procesin e anëtarësimit, si dhe për nevojën e informimit më të gjerë të publikut mbi përfitimet dhe detyrimet që sjell integrimi në BE.

“Kemi dakordësi në të gjitha çështjet, në detyrat që duhet të bëjmë dhe në domosdoshmërinë për të vijuar me mbylljen e kapitujve në këtë ritëm”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjes së institucioneve europiane për avancimin e procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.




Comments are closed.