Deputeti Llajo dënon incidentin në Zvërnec: Dhuna nuk ka vend në protestë
Deputeti i PS për Qarkun e Vlorës, Vasil Llajo, ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur në Zvërnec, duke e cilësuar atë si një incident të shkaktuar nga individë të papërgjegjshëm, veprimet e të cilëve nuk kanë lidhje me garantimin e sigurisë apo mbrojtjen e pronës.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, deputeti Llajo dënoi çdo formë dhune dhe theksoi se e drejta për të protestuar duhet të ushtrohet në përputhje me ligjin dhe standardet demokratike.
“Çdo akt që cenon standardet e së drejtës së protestës dhe rrezikon të degradojë në veprime individuale dhune është i papranueshëm dhe i dënueshëm”, u shpreh ai.
Deputeti i Vlorës përgëzoi gjithashtu reagimin e Policisë së Shtetit për trajtimin e rastit dhe referimin për ndjekje penale të autorëve, duke vlerësuar edhe marrjen e masave për vendosjen përpara përgjegjësisë të strukturave përkatëse të DVP Vlorë.
Sipas Llajos, respektimi i ligjit, rendit publik dhe institucioneve është thelbësor për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjen e interesit qytetar, ndërsa çdo tentativë për ta shndërruar protestën në dhunë duhet të marrë përgjigjen e duhur ligjore.







