Trazira në Francë pas triumfit të PSG-së, një viktimë dhe qindra të arrestuar
Festimet për fitoren e Paris Saint-Germain në finalen e Champions League kundër Arsenalit janë shndërruar në trazira të dhunshme në disa qytete të Francës, duke lënë pas një viktimë, dhjetëra të plagosur dhe qindra të arrestuar.
Sipas mediave franceze, incidente të rënda u regjistruan në Paris, Rennes, Strasburg dhe Grenoble, ku përleshjet mes tifozëve dhe forcave të rendit përshkallëzuan situatën gjatë natës.
Autoritetet konfirmuan se një 23-vjeçar humbi jetën pasi u përplas me motor në një bllok betoni gjatë trazirave. Ndërkohë, një 17-vjeçar ndodhet në gjendje kritike në terapi intensive pasi u godit disa herë me thikë pranë Champs-Élysées.
Në kryeqytetin francez, grupe tifozësh dogjën automjete, vandalizuan dyqane dhe dëmtuan pronë publike. Sipas raportimeve, një grup i vogël tentoi të sulmonte edhe një komisariat policie, duke detyruar ndërhyrjen e forcave të sigurisë.
Prokuroria e Parisit bëri të ditur se 277 persona janë vendosur në paraburgim, mes tyre 82 të mitur. Arrestimet lidhen kryesisht me sulme ndaj efektivëve të policisë, vandalizëm, vjedhje dhe prishje të rendit publik.
Një tjetër incident i rëndë u regjistrua kur një automjet humbi kontrollin dhe u përplas me tarracën e një restoranti, duke plagosur dy persona, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, deklaroi se 57 efektivë policie mbetën të plagosur gjatë operacioneve për rivendosjen e rendit, ndërsa episode dhune u raportuan në të paktën 15 qytete të vendit.
Autoritetet franceze vijojnë hetimet për incidentet, ndërsa masat e sigurisë mbeten të larta në disa zona pas festimeve të PSG-së.







