×
Sunday, May 31, 2026

Franca kërkon mbledhje urgjente të OKB-së pas avancimit izraelit në Liban

May 31, 2026


Franca ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pas avancimit të forcave izraelite në Libanin jugor dhe marrjes nën kontroll të Fortit historik Beaufort, ku është vendosur flamuri izraelit.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, i cili shprehu shqetësimin për përshkallëzimin e situatës dhe shkeljen e armëpushimit të arritur më herët mes palëve.

“Kërkova një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara sepse, megjithëse ne njohim në Izrael, si në çdo vend, të drejtën për mbrojtje legjitime dhe mbrojtje kundër sulmeve të Hezbollahut, asgjë nuk mund të justifikojë zgjatjen e operacioneve ushtarake izraelite në Liban dhe pushtimin gjithnjë e më të thellë të territorit libanez”, deklaroi Barrot për BFMTV.

Sipas kryediplomatit francez, avancimi i ushtrisë izraelite bie ndesh me angazhimet e marra në kuadër të armëpushimit që është në fuqi që prej 17 prillit.

“Ky është një gabim i rëndësishëm nga Izraeli, sepse ky përparim në territorin libanez jo vetëm që bie ndesh me angazhimet e Izraelit, por edhe me të drejtën ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Pushtimi i Fortit Beaufort, një pozicion strategjik në jug të Libanit, ka rritur tensionet në rajon, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Franca ka kërkuar që Këshilli i Sigurimit të OKB-së të shqyrtojë urgjentisht situatën, me synimin për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në kufirin izraelito-libanez.




Comments are closed.