Hegseth: SHBA mbetet e angazhuar në Azi, pavarësisht tensioneve me Iranin
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk po i kthejnë shpinën aleatëve të tyre në rajonin Azi-Paqësor, pavarësisht angazhimeve të shumta globale, përfshirë tensionet me Iranin.
Duke folur në Shangri-La Dialogue, Hegseth siguroi partnerët amerikanë në Azi se Uashingtoni mbetet i përkushtuar ndaj sigurisë rajonale dhe do të vazhdojë bashkëpunimin ushtarak me vendet aleate.
“Ne mund të përballojmë më shumë se një sfidë njëkohësisht”, u shpreh ai, duke theksuar se SHBA po forcon praninë e saj në Paqësor, ndërsa njëkohësisht po punon për të parandaluar që Irani të sigurojë armë bërthamore.
Shefi i Pentagonit hodhi poshtë shqetësimet se pezullimi i një pakete armësh me vlerë 14 miliardë dollarë për Tajvanin mund të ndikojë në aftësinë e Uashingtonit për të përmbushur angazhimet ndaj aleatëve të tij. Sipas tij, rezervat amerikane të municioneve mbeten të mjaftueshme dhe kapacitetet prodhuese janë të forta.
Në fjalimin e tij, Hegseth u bëri thirrje vendeve të rajonit të rrisin investimet në mbrojtje deri në 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke vlerësuar përpjekjet e vendeve si Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Filipinet për forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe bashkëpunimit me SHBA-në.
Ai paralajmëroi gjithashtu për rritjen e kapaciteteve ushtarake të Kina, por theksoi se qëllimi i Uashingtonit nuk është përshkallëzimi i tensioneve.
“Ne kërkojmë një ekuilibër të qëndrueshëm në rajon, ku asnjë shtet, përfshirë Kinën, të mos mund të imponojë hegjemoninë e tij”, deklaroi Hegseth.
Forumi i Sigurisë në Singapor konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare për çështjet e sigurisë në Azi. Për të dytin vit radhazi, Kina nuk u përfaqësua nga ministri i saj i Mbrojtjes, por dërgoi një delegacion të nivelit më të ulët, në një kohë kur rivaliteti strategjik mes Pekinit dhe Uashingtonit vijon të mbetet në qendër të vëmendjes globale.







