Hoxha në Kalabri: Arbëreshët janë një urë e gjallë mes Shqipërisë dhe Italisë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në edicionin e 31-të të Manifestimit Kulturor Folklorik për Vlerësimin e Pakicave Gjuhësore, të organizuar nga Shoqata Kulturore Progetto Caraffa në Vena di Maida, në rajonin e Kalabrisë.
Gjatë aktivitetit, Hoxha vlerësoi kontributin e komuniteteve arbëreshe në ruajtjen e gjuhës shqipe, traditave dhe identitetit kombëtar për më shumë se pesë shekuj, duke i cilësuar ato si një pjesë të gjallë të kombit shqiptar dhe një pasuri të çmuar të kulturës europiane.
Në këtë manifestim morën pjesë autoritete vendore, studiues dhe personalitete të njohura të botës arbëreshe, ndër ta Salvatore Paone, Francesco Stirparo, Cettina Mazzei dhe Francesco Altimari.
Ministri theksoi se përmes familjes, shkollës, shoqatave kulturore dhe jetës komunitare, arbëreshët kanë arritur të mbajnë gjallë gjuhën shqipe, zakonet dhe kujtesën historike, duke ruajtur një identitet të fortë shqiptar ndër breza.
Hoxha shprehu mirënjohje për komunitetet arbëreshe që kanë ruajtur këtë trashëgimi me përkushtim dhe theksoi se Shqipëria do të vijojë të forcojë bashkëpunimin me to në fushën akademike, kulturore dhe shkencore.
Sipas tij, një rol të rëndësishëm në këtë proces luajnë universitetet, katedrat e gjuhës shqipe dhe studiuesit arbëreshë, të cilët prej dekadash kontribuojnë në mbrojtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare në Itali.
Ministri vlerësoi gjithashtu mbështetjen e institucioneve italiane në ruajtjen e trashëgimisë arbëreshe, duke e cilësuar atë një vlerë të rëndësishme jo vetëm për Italinë, por edhe për gjithë Europën.
“Arbëreshët janë sot një urë e gjallë lidhëse mes Shqipërisë dhe Italisë, mes dy brigjeve të Adriatikut dhe Jonit, një urë e ndërtuar mbi histori, kulturë, kujtesë dhe miqësi”, theksoi Hoxha.
Gjatë aktivitetit u përshëndet edhe iniciativa për ngritjen e Muzeu i Arbëreshëve në Vuno, projekt që synon të shërbejë si një qendër moderne studimi, edukimi dhe dialogu kulturor mes Shqipërisë dhe komuniteteve arbëreshe.
Sipas ministrit, forcimi i lidhjeve me arbëreshët mbetet një prioritet i institucioneve shqiptare, ndërsa historia dhe trashëgimia e përbashkët përbëjnë një bazë të rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve të së ardhmes mes Shqipërisë dhe diasporës historike shqiptare në Itali.







