×
Saturday, May 30, 2026

Lamallari: Qendra e re e çaktivizimit të armëve forcon sigurinë dhe standardet europiane

May 30, 2026


Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Qendrës së Çaktivizimit të Armëve të Vogla dhe të Lehta në Mullet, një investim i realizuar nga OSBE në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, Gjermanisë dhe Francës.

Në aktivitet ishin të pranishëm edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, si dhe përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Europian dhe të ambasadave partnere.

Gjatë fjalës së tij, Lamallari e cilësoi projektin si një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve të shtetit shqiptar në kontrollin e armëve të vogla, municioneve dhe eksplozivëve, duke theksuar se investimi kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë publike dhe harmonizimin e praktikave shqiptare me standardet europiane.

“Dorëzimi i Qendrës së Çaktivizimit dhe pajisjeve për funksionimin e saj është një hap konkret që forcon sigurinë publike, rrit standardet tona profesionale dhe afron Shqipërinë edhe më shumë me praktikat dhe standardet europiane në këtë fushë kaq të ndjeshme”, deklaroi ministri.

Sipas Lamallarit, projekti përfaqëson një nga bashkëpunimet më të rëndësishme ndërkombëtare në drejtim të reduktimit të rrezikut nga përhapja dhe keqpërdorimi i armëve, duke krijuar një sistem më të fortë kontrolli dhe parandalimi ndaj qarkullimit të paligjshëm të tyre.

Ministri nënvizoi se çaktivizimi i armëve është një instrument kyç në luftën kundër kriminalitetit dhe se Ministria e Brendshme e ka trajtuar këtë proces si prioritet strategjik, përmes përmirësimit të kuadrit ligjor, ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe përafrimit të standardeve kombëtare me ato të Bashkimit Europian dhe OSBE-së.

Një nga elementët më të rëndësishëm të projektit është krijimi për herë të parë në Shqipëri i një infrastrukture të dedikuar për ushtrimin praktik të procesit të çaktivizimit të armëve të vogla dhe të lehta. Përveç investimit në ambiente dhe pajisje moderne, projekti ka mundësuar hartimin e manualeve të specializuara, zhvillimin e programeve të trajnimit për specialistët dhe shkëmbimin e eksperiencave me ekspertë europianë.

Lamallari vlerësoi gjithashtu mbështetjen e dhënë për forcimin e njësive K9 të Policisë së Shtetit në zbulimin e armëve, municioneve dhe lëndëve eksplozive, si dhe për rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi rreziqet që sjell përhapja e armëve të paligjshme.

“Të gjitha këto masa janë të lidhura drejtpërdrejt me objektivat e Strategjisë Kombëtare për Kontrollin e Armëve të Vogla e të Lehta dhe me angazhimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të procesit të integrimit europian”, theksoi ai.

Nga ana e tij, drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, e cilësoi qendrën si një investim të drejtpërdrejtë në sigurinë kombëtare dhe në mbrojtjen e brezave të ardhshëm.

“Sot, përmes kësaj qendre dhe këtij partneriteti të suksesshëm, ne japim një mesazh të qartë se siguria kërkon bashkëpunim, standarde të përbashkëta dhe vendosmëri të palëkundur. Armëmbajtja e paligjshme mbetet një kërcënim serioz për sigurinë publike dhe luftën kundër krimit të organizuar”, deklaroi Hita.

Qendra e re e çaktivizimit të armëve konsiderohet një investim strategjik në forcimin e sigurisë publike, kontrollin e armëve të paligjshme dhe përmbushjen e standardeve që Shqipëria duhet të zbatojë në kuadër të integrimit europian.




Comments are closed.