×
Thursday, May 28, 2026

Rama nga Korça: PS e ka çuar Shqipërinë në një fazë të re të integrimit

May 28, 2026


Kryeministri Edi Rama, gjatë një aktiviteti në Korçë për 35-vjetorin e Partisë Socialiste, deklaroi se kjo forcë politike e ka çuar Shqipërinë më lart në rrugën drejt zhvillimit dhe integrimit europian, duke e cilësuar këtë si një amanet ndaj të parëve dhe detyrim ndaj brezave të rinj.

“PS e ngjiti Shqipërinë edhe një majë më lart, në rrugën drejt majës që faktikisht është amaneti nga të parët dhe borxhi që u kemi fëmijëve tanë”, u shpreh Rama.

Ai theksoi gjithashtu rolin e PS në raportet ndërkombëtare dhe në imazhin e vendit jashtë Shqipërisë.

“PS ka dëshmuar se është e vetmja forcë politike që mund të ketë një raport të drejtë me faktorin ndërkombëtar, me të shkuarën edhe me botën. Është krenaria jonë që pas një periudhe të gjatë vështirësish dhe denigrimi i kemi ngritur kokën çdo shqiptari kudo në botë”, tha ai.

Duke folur për integrimin europian, Rama u shpreh se vendi ka hyrë në një fazë të re të procesit me Bashkimin Europian.

“Mbi të gjitha është krenaria jonë që sot Shqipëria ndodhet në një fazë tjetër, pasi kemi mbyllur fazën e çeljes së të gjitha kapitujve të negociatave, tani kemi hapur procesin e mbylljes së gjithë kapitujve”, deklaroi ai.

Në fund të fjalës së tij, Rama komentoi edhe kushtet atmosferike gjatë aktivitetit, si dhe pritshmëritë politike për zgjedhjet e ardhshme.

“Ndërsa shiu filloi duke dëgjuar se ç’ishte Shqipëria, le të vazhdojë si bereqeti që do të kemi dhe le të bjerë mbi këtë festë të 35-vjetorit të PS edhe këtu në Korçë, duke paralajmëruar një fitore të jashtëzakonshme si ajo që do realizojmë të gjithë bashkë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm”, tha Rama.




Comments are closed.