×
Friday, May 22, 2026

Balla ironizon Bardhin në Kuvend: “Po mos bënte marrëveshje Edi Rama, ti s’do ishe bërë ministër”

May 21, 2026


Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ka replikuar në Kuvend me Gazment Bardhi, duke iu përgjigjur kritikave të këtij të fundit ndaj kryeministrit Edi Rama për mënyrën e ndërtimit dhe respektimit të marrëveshjeve politike.

Gjatë fjalës së tij, Balla deklaroi se, nëse Rama nuk do të bënte marrëveshje, Bardhi nuk do të ishte bërë ministër.

“Po mos bënte marrëveshje Edi Rama, ti s’do ishe bërë ministër. Kështu që fakti që ke qenë ministër në qeverinë e kryeministrit Rama është një element i bukur në CV-në tuaj personale”, u shpreh Balla.

Më tej, ai theksoi se shumica mbetet e hapur për dialog me opozitën, duke deklaruar se marrëveshjet prodhohen përmes komunikimit dhe jo përmes përplasjes politike.

Sipas Ballës, dakordësia e arritur për rregulloren e Kuvendit duhet të shihet si një fitore e parlamentarizmit dhe jo si avantazh për njërën palë politike.

Në vijim të fjalës, ai ndaloi edhe te funksionimi i komisioneve parlamentare, procesi i integrimit europian dhe nevoja për ritme më intensive të miratimit të ligjeve në kuadër të afrimit të legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian.




Comments are closed.