×
Thursday, May 21, 2026

Siguria në ndërtim në fokus, Karakaçi: Po forcojmë ligjin dhe kontrollin sipas standardeve të BE

May 21, 2026


Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se qeveria shqiptare po punon për forcimin e kuadrit ligjor dhe mekanizmave të kontrollit në sektorin e ndërtimit, me synim garantimin e cilësisë dhe sigurisë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Deklarata u bë gjatë një interpelance në Kuvend, të kërkuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i cili ngriti shqetësime konkrete pas një zjarri të rënë në një kompleks banimi dhe shërbimesh në Tiranë. Sipas Braçes, kjo ngjarje ka rikthyer në qendër të vëmendjes problematika serioze që lidhen me cilësinë e materialeve të ndërtimit dhe respektimin e standardeve të sigurisë.

Ai kërkoi sqarime të detajuara mbi shkaqet e përhapjes së shpejtë të zjarrit, duke ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e kodeve të mbrojtjes nga zjarri, pajisjen e ndërtesave me certifikata shfrytëzimi, zhvillimin e kontrolleve periodike dhe përgjegjësitë konkrete të aktorëve të përfshirë në procesin e ndërtimit, nga projektuesit deri te zbatuesit dhe mbikëqyrësit.

Në përgjigje, ministri Karakaçi theksoi se kuadri ligjor ekzistues parashikon një sërë mekanizmash kontrolli, por pranoi se ai ka nevojë për përmirësim dhe përditësim, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit europian.

Ai sqaroi se baza aktuale ligjore mbështetet në ligjin e vitit 2004 për produktet e ndërtimit, i cili përcakton kriteret bazë që duhet të përmbushin materialet, përfshirë rezistencën mekanike, sigurinë ndaj zjarrit, higjienën, mbrojtjen e mjedisit, sigurinë në përdorim, izolimin akustik dhe eficiencën energjetike.

Sipas ministrit, në treg mund të hidhen vetëm materiale që janë në përputhje me standardet shqiptare të harmonizuara me ato europiane ose që kanë kaluar procedurat e konformitetit. Ai theksoi se përgjegjësia për deklarimin dhe garantimin e cilësisë së produkteve bie mbi prodhuesin, ndërsa kontrolli i tregut kryhet nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

Karakaçi bëri me dije se Ministria ka hartuar tashmë një projektligj të ri për tregtimin e produkteve të ndërtimit, i cili synon përafrimin e plotë me rregulloren e Bashkimit Europian të vitit 2024. Ky projektligj parashikon krijimin e një sistemi modern dhe të unifikuar për vlerësimin, verifikimin dhe deklarimin e performancës së materialeve të ndërtimit.

Po ashtu, ai parashikon ngritjen e strukturave të posaçme për certifikimin, vlerësimin teknik dhe mbikëqyrjen e tregut, me qëllim rritjen e standardeve të sigurisë në ndërtim.

Ministri u ndal edhe te rëndësia e ligjit për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve në ndërtim, duke theksuar se ky ligj përcakton qartë rolet dhe përgjegjësitë e projektuesve, zbatuesve, mbikëqyrësve dhe kolaudatorëve në garantimin e cilësisë së objekteve.

Ai shtoi se materialet e importuara duhet të shoqërohen me certifikata cilësie nga laboratorë të akredituar, ndërsa produktet e prodhuara në vend duhet të certifikohen nga institucione të licencuara.

Në përfundim, Karakaçi theksoi se qeveria shqiptare e konsideron prioritet forcimin e sigurisë në ndërtim, duke nënvizuar se zhvillimet teknologjike dhe kompleksiteti në rritje i ndërtimeve kërkojnë një qasje më të fortë ligjore dhe institucionale.

Sipas tij, përmes përditësimit të legjislacionit, rritjes së kontrolleve dhe përafrimit me standardet europiane, synohet garantimi i ndërtimeve më të sigurta, më cilësore dhe në përputhje të plotë me interesin publik.




Comments are closed.