×
Friday, May 22, 2026

“Porta e Alpeve”, deputetja Xhenis Çela: Investim strategjik për zhvillimin e Shkodrës dhe veriut

May 21, 2026


Në fjalën e mbajtur sot në Kuvend, deputetja e Partisë Socialiste për qarkun Shkodër, Xhenis Çela, ka shprehur mbështetjen për projektligjin që lidhet me projektin “Porta e Alpeve”, duke e cilësuar atë si një investim me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, turistik dhe urban të Shkodrës dhe gjithë veriut të Shqipërisë.

Çela theksoi se potenciali natyror dhe turistik i zonës nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me investime konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Sipas saj, projekti synon të krijojë lidhje më të mira territoriale, të forcojë aksesin drejt zonave turistike, të mbështesë bizneset lokale dhe të nxisë zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit.

Deputetja nënvizoi se përmes “Portës së Alpeve” parashikohen investime në rigjenerim urban, transport publik, lëvizje të qëndrueshme, hapësira turistike dhe infrastrukturë në funksion të qytetarëve dhe ekonomisë lokale.

Në fjalën e saj, Çela u ndal edhe te rëndësia e ruajtjes së identitetit të zonës, duke theksuar se zhvillimi duhet të ecë paralelisht me mbrojtjen e natyrës dhe karakterit të Shkodrës.

Ajo vlerësoi gjithashtu mbështetjen financiare nga Banka Europiane e Investimeve, duke e konsideruar atë si një tregues besimi ndaj potencialit të rajonit dhe institucioneve shqiptare.

Në përfundim, deputetja e PS-së u bëri thirrje kolegëve në Kuvend që ta mbështesin projektligjin, duke argumentuar se ky projekt mund të shndërrohet në një nga investimet që do të ndikojë afatgjatë në ritmin e zhvillimit të Shqipërisë së Veriut.




Comments are closed.