Salla: Skema kombëtare e mbështetjes për fermerët nis më 25 maj, IPARD III në analizë nga BE-ja
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi sot se paketat për akreditimin e IPARD III janë dorëzuar në Ministrinë e Financave dhe po analizohen nga Komisioni Evropian që prej 30 prillit, me qëllim forcimin e standardeve të kontrollit, auditimit dhe integritetit në përdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian.
Ai theksoi se IPARD III është instrumenti kryesor që do të mundësojë investime më të mëdha për fermerët, agropërpunuesit dhe zhvillimin rural.
Deklarata u bë gjatë interpelancës së kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri në Kuvend, të cilët ngritën shqetësime lidhur me bllokimin e fondeve të IPARD-it për shkak të keqpërdorimit dhe vonesat në ndihmat për fermerët përmes skemës së naftës.
Për mbështetjen direkte, ministri tha se heqja e mbështetjes me naftë nuk lidhet me mungesë vëmendjeje ndaj kostove të prodhimit, por me rikonceptimin e instrumentit të mbështetjes.
“Skema kombëtare për vitin 2026, për të cilën aplikimet fillojnë më 25 maj, është hartuar pas konsultimeve dhe dëgjesave me fermerët në të gjithë vendin. Ajo përfshin dy komponentë kryesorë, mbështetje me grante për investime dhe pagesa direkte për fermerët, duke synuar të afrojë instrumentet e mbështetjes me logjikën evropiane, të rrisë prodhimin e qëndrueshëm, të mbështesë investimet dhe të lidhet më fort me standardet”, tha ai.
Ministri sqaroi se për herë të parë do të nisë pagesa për sipërfaqe të mbjellë, ku fermat me mbi 3 hektarë do të përfitojnë 10 mijë lekë për çdo hektar, për të gjitha kulturat bujqësore.
Skema, tha ai, i jep prioritet të veçantë të rinjve, blegtorisë dhe bletarisë, si dhe masave për standarde më të larta dhe produkte më konkurruese, përfshirë kontrollin biologjik të dëmtuesve në serra, bujqësinë organike dhe certifikimin Global GAP.
“Shoqëritë e Bashkëpunimit bujqësor do të përfitojnë vlerat maksimale të mbështetjes në të gjitha aktivitetet e skemës, duke nxitur bashkëpunimin dhe forcimin e pozitës së fermerëve në treg”, deklaroi Salla.
Përveç pagesave direkte, informoi ministri, fermerët do të përfitojnë edhe një mbështetje shtesë prej 10% të vlerës së autofaturës për produktet bujqësore dhe blegtorale të shitura, duke lidhur mbështetjen drejtpërdrejt me prodhimin e shitur dhe formalizimin e marrëdhënieve tregtare.







