Balla: Shqipëria drejt “Po”-së nga BE. Nesër vuloset një javë historike
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot pwr gazetarwt jashtë sallës së Kuvendit se Shqipëria po mbyll një javë vendimtare për procesin e integrimit europian, ndërsa Bashkimi Europian pritet të avancojë me miratimin e raportit të IBAR-it dhe me konferencën e ardhshme ndërqeveritare. Sipas Ballës, puna e institucioneve shqiptare për përmbushjen e piketave të ndërmjetme është vlerësuar pozitivisht nga vendet anëtare të BE-së.
Balla theksoi se reforma në drejtësi dhe procesi i vetingut janë konsideruar nga partnerët europianë si model për vendet e tjera aspirante, duke nënvizuar se Shqipëria ka bërë hapa konkretë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai shtoi se Gjermania, Italia dhe Austria po mbështesin një qasje të re për përshpejtimin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale dhe raportin e IBAR-it, Balla deklaroi se qeveria shqiptare do të vijojë konsultimet me Komisionin Europian për çdo nismë ligjore.
Fjala e plotë:
Të qëndrojmë te momenti shumë i mirë që ka të bëjë me rrugën europiane të Shqipërisë.
Pra, jemi në përmbyllje të një jave, brenda së cilës Bashkimi Europian, në respekt të atyre procedurave burokratike të veta kalon nga grupi i punës te Komiteti i përfaqësuesve pra nga COELA te COREPER neser. Në një farë mënyre miratohet gjithë ajo punë kolosale e bërë nga shumë institucione shtetërore, nga qindra djem e vajza, burra e gra, të përfshirë në këtë proces të adresimit të atyre që i kemi quajtur piketa të ndërmjetme. Mendoj që edhe ju mediat, për shkak të rolit tuaj të pazëvendësueshëm është mirë t’ua shpjegojmë qytetarëve çfarë ka qenë gjithë kjo punë, për një prej grupkapitujve më të rëndësishëm, themeloret.
U identifikuan më shumë se 92 hendeqe, pra problematika që duheshin adresuar. Mos harroni asnjëherë që themeloret, ose mes tyre kapitulli 23-24 në historinë e Bashkimit Europian, janë ato që hapen të parat dhe mbyllen të fundit, por në rastin e Shqipërisë, dhe këtu dua të citoj fjalë për fjalë vlerësimin që vjen nga Gjermania si e udhëheqës në kuadër të barazisë brenda vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ku thuhet shprehimisht që Shqipëria me reformën në drejtësi dhe vetingun, me luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, me këto arritje është model, reforma në drejtësi në Shqipëri është 1 model për vendet e tjera të cilat aspirojnë.
Kjo javë e rëndësishme përmbyllet nesër me komitetin e përfaqësuesve për të ecur javën tjetër me konferencën ndërqeveritare.
Mendoj që të gjitha palët politike në vend duhet të kuptojnë që jetojnë dhe pastaj në një momentum tjetër, jo që lidhet me këtë javë në Kuvendin e Shqipërisë, por që lidhet me një qasje të re nga vendet e rëndësishme anëtare të Bashkimit Europian.
Kemi pasur dje…është bërë publike fakti që Italia dhe Austria kanë dalë me një propozim që ka të bëjë me përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe këtu specifikohet Shqipëria dhe Mali i Zi si 2 vendet pararendëse, por përfshihet dhe Moldavia, ndërkohë që për Ukrainën do të kuptojmë që të ketë, e themi, një qasje sui generis.
Dje kancelari gjerman….bashkë me zonjën Tabaku dhe zoti Hasani kemi qenë në Berlin.
E kemi kuptuar aty që do të ishte një le të themi, komunikim zyrtar nga Republika Federale Gjermane përmes kancelarit sa i përket angazhimit të palëkundur të Gjermanisë për ta përmbyllur procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe me Moldavinë, me angazhimin që citohet qartë. Diçka që besoj që ju e kishit dëgjuar më përpara, që e kishte njoftuar dhe kryeministri Rama, pra ne duhet të gjejmë zgjidhje, thotë kancelari gjerman, e cila, le të themi, të na garantojë edhe anëtarësimin me faza.
Nuk duhet të kemi frikë që anëtarësimi me faza na dëmton.
Përkundrazi, anëtarësimi me faza nuk ka të bëjë me ne.
Ne do vazhdojmë t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona.
Ambicia jonë për të mbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027 është ambicia që tanimë përputhet edhe me atë program që kemi dakordësuar me Komisionin.
Por ajo që propozon kancelari gjerman, që në një farë mënyre është e njëjta linjë edhe me Italinë, edhe me Austrinë dhe që mendoj që do të jetë edhe Franca, apjesë e kësaj qasjeje, ka të bëjë me pjesën që vjen më pas, pra me ratifikimin.
Pra, për ta ditur qytetarët, në fund të vitit 2027 mbyllen negociatat.
Nga ai moment bëhet gati marrëveshja që shkon për t’u ratifikuar te anëtarët dhe tani topi nuk është më në krahun e vendeve aspirante, por është në fushën e vendeve anëtare.
Mos harroni asnjëherë që procesi i ratifikimit është proces i gjatë, kërkon përfshirjen e parlamenteve, mund të kërkojë edhe përfshirjen e popullit me referendum.
Për shembull, në rastin e Francës duket qartë që pas kur ka qenë presidenti Shirak, e mos gaboj, është lënë e hapur që nëse kërkohet, ne mund të shkohet për zgjerimin edhe në referendum.
Nuk besoj që do të jetë rasti, pavarësisht se çfarë do të ndodhë në Francë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm dhe më pas edhe parlamentare.
Mendoj që Shqipëria jonë e Përbashkët, ka arsye të jetë e gëzuar sot, të jetë e gëzuar nesër, të martën e ardhshme, në 26 maj, një datë e bukur kjo e 26 majit 2026 për të mos kujtuar dhe për të kujtuar, por 26 majin e vitit 1996…. Por megjithatë duhet të jemi të gëzuar për një arritje dhe unë nuk hezitoj, kushdo që kontribuon, dhe e kam thënë në seancën e kaluar, do ta them dhe sot kur vijë momenti i miratimit me konsensus të rregullore së Kuvendit, që duhet të mos harrojmë asnjëherë që çdo shërbim sot që bëjmë ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është një shërbim që ia bëjmë atdheut tonë të përbashkët.
Gazetar: Zoti Balla, raporti i IBAR që pritet të miratohet nesër, a ka ndryshime dhe ka kërkesa për qeverinë dhe do të jetë qeveria e gatshme që t’i plotësojë këto kërkesa? Një prej tyre është imuniteti përballë drejtësisë, siç është rasti i ish-Zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Balla: Duhet të kuptoni një gjë: në botën demokratike të vendeve anëtare të Bashkimit Europian ku duam të anëtarësohemi, ka një parim i cili respektohet edhe nga vetë vendet anëtare dhe nga raportet që prodhohen. Ju e patë raportin e Parlamentit Europian. Në botën demokratike nuk merren me emra. Me emra na ka ngelur nga komunizmi, merremi vetëm ne këtu… Dhe duhet të hiqni dorë dhe të heqim dorë nga kjo kulturë. Në botën demokratike besimi është tek drejtësia. Dhe unë sot po ju them që jo Gjermania, por të gjitha vendet anëtare, reformën në drejtësi që ka ndërmarrë Shqipëria e rekomandojnë si shembull për vendet e tjera.
Moldavia, një vend që, le të themi, është pas nesh në këtë proces, i është bërë me dije dhe madje ekspertët moldavë, autoritetet moldave vijnë në Shqipëri në mënyrë të rregullt për të parë se si e bëmë ne vetingun e gjyqtarëve, për si e bëmë vetingun e prokurorëve për të aplikuar më tej. Prandaj, të jesh i sigurt ti dhe të gjithë ata pas teje që nuk ka Shqipëria asnjë çështje të papërmbushur, por natyrshëm vijimi i implementimit të reformës drejtësie, garantimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, ndalja e sulmeve kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve për qëllime personale, duhet të jetë një reflektim nga e gjithë klasa politike.
Mos e harroni asnjëherë që falë Edi Ramës dhe Partisë Socialiste është sot kjo reformë drejtësie.
Nuk do të kishte ndodhur kurrë reforma në drejtësi nëse në këtë sallën këtu shumicë nuk do të ishte Partia Socialiste.
Gazetar: Kjo mazhorancë e cila pretendon që ka mbështetur reformën drejtësie ka propozuar disa ndryshime në kodin e procedurës penale për të mos arrestuar zyrtarë të lartë. Madje një pjesë e anëtarëve të komisionit të vetingut, meqë po vlerësoni vetingun, i keni emëruar në poste publike së fundmi. Dhe sa të pavarur mund të kenë qenë këto anëtarë të komisionit të vetingut? Një pjesë janë deputetë të Partisë Socialiste dhe një pjesë janë emëruar në poste publike.
Balla: Këtu ndahemi ne. Raportet që citohen më lart vlerësojnë procesin e vetingut. Televizioni i Familjes sulmon procesin e vetingut.
Gazetar; A jeni tërhequr ju nga ndryshimet në kodin e procedurës penale për pezullimin e ministrave që keni firmosur ju së bashku me Kryeministrin?
Balla: Unë, unë, unë të gjitha hapat që bëj i bëj publik dhe besoj që keni dëgjuar që jam tërhequr nga ai propozim. Natyrshëm, ka një të themi, kalendar të shqyrtimit t nga ana e Kuvendit. Dua t’ju garantoj një gjë. Dua të më jepni mundësinë edhe sot, që më 22 korrik të këtij viti, në ditën e 10-vjetorit të miratimit të reformës drejtësie, të dal prapa jush dhe t’ju them 100 herë të kthehemi mbrapa në 22 korrik 2016, do e miratonim fjalë për fjalë siç ishte.
Sepse është krenari për çdo shqiptar sot, jo për shqiptarët që jetojnë këtu në Shqipëri, por shqiptarët që jetojnë në të gjitha trojet tona etnike, që Shqipëria jonë e Përbashkët sot është më afër se kurrë. Dhe nëse, nëse po ju them dhe po ju them, nëse në 11 maj 2025 shqiptarët na votuan në shumicë për Vizionin Shqipëria 2030, mos u habisni që Shqipëria hapin e madh të anëtarësimit në këtë formë që propozon kancelari Merz, ta bëjmë përpara 2030.
Gazetar: Por a ka kërkuar Komisioni Europian mosmiratimin e këtij propozimi që ju keni çuar në Kuvend?
Balla: E unë e dhashë përgjigjen. Sa herë të duash ti mund ta jap tjetër përgjigje.
Ju lutem, ju lutem, mos, mos bëni zhurma kot për gjëra që nuk janë pjesë e këtij momenti. Po flasim, po flasim për një moment historik që ka të bëjë dhe unë nuk kam turp të them dhe faleminderit për kolegët e opozitës. Edhe thashë ditën e enjte të kaluar, do ta them dhe sot, është një situatë shumë e mirë, sepse në fund të fundit, në mos harroni, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian lidhet drejtpërdrejti me kriteret e Kopenhagës. Duhet t’i mësoni përmendësh, dhe ju edhe nëntë pikat. Dhe gjëja ndër to më e rëndësishmja dhe fillohet me dialogun politik, me funksionalitetin e institucioneve të zgjidhura në mënyrë demokratike.
Dhe këtu, në këtë këndvështrim, unë do të bëj gjithçka, dhe po e them këtu solemnisht, para publikut, sepse ato katrorët tuaj dhe këto mikrofonët tuaj kanë një vlerë të pazëvendësueshme në demokraci. Duhet të kuptojmë që edhe opozita ka një rol të vetin të pazëvendësueshëm. Unë do bëj gjithçka që opozita të ketë hapësirën e vet, dhe ndërkohë që në referim të asaj që një mik i veçantë i Shqipërisë, siç është raporteri Andreas Shider, tha, është që edhe opozita duhet të luajë rolin e vet. Në 17-18 qershor do të miratohet raporti në Parlamentin Europian. Ndoshta do ishte, për shembull, një akt i mirë që atë ditë aty të jemi një delegacion i përbashkët, i barabartë, pse jo, mes opozitës dhe mazhorancës.
Gazetar: Ndryshimet në rregulloren e kuvendit. Cila pikë është më e rëndsishme?
Balla: Faleminderit, Muhamed. Ndryshimet në rregullore i bëjnë mirë parlamentarizmit. Jam shumë i kënaqur që dy negociatorët, relatorët, në rastin në fjalë, për të ruajtur kontekstin e përcaktuar në mbledhjenekëshillit të rregullores kanë bërë një punë të mirë në këto ditë, që morën detyrë. Mendoj që të gjitha palët duhet ta shohin me pozitivitet. Në këto raste nuk ka humbës dhe fitues, nuk ka ata që lëshuan dhe ata që fituan, por unë mendoj që këtu fitoi parlamentarizmi, fitoi Kuvendi i Shqipërisë. Unë prapë e besoj atë që i propozova, për shembull, për kohën, pesë minuta është e mjaftueshme të ruajmë ritmin kur je aty. Është si kjo puna me ju. Domethënë, kur flet 10 minuta dhe ju jua vështirëson punën për të gjetur atë pjesën e sinkronit
Balla: mendoj që ajo mund të kishte qenë dicka por unë u tërhoqa nga propozimi për të shtuar pesë minuta, sepse mendoj që në fund të fundit rregullore duhet të miratohen me konsensus, ose kur miratohen me konsensus nuk ka gjë më të mirë.
Gazetar: Zoti Balla, në një kohë kur ju thoni se nuk ka pezullim apo ndërprerje të nismës suaj, ku ju jeni firmëtar, të lutem, të përfundojë të kodit të procedurës penale, a ka në plan Partia Socialiste që ta votojë në Parlament brenda këtij sesioni deri në fund të korrikut nismën e kodit të procedurës penale, apo do të kalojë për sesionin e ri në shtator?
Balla: Tani ne i kemi sytë nga Europa, kështu që t’i mbajmë sytë nga Europa dhe çdo gjë…
Çdo ndryshim ligjor që bëhet, do bëhet nga dje, sot, nesër në Kuvendin e Shqipërisë, duhet të marrë green light-in nga Komisioni Europian.
Kur të kemi, edhe për këtë çështje, jo për të gjitha çështjet, një green light, çdo gjë do bëhet.
Tani, më falni, unë po ju them që ne jemi në një fazë ku konsultohemi për gjithçka me Bashkimin Europian. Dhe nuk e kemi për turp ta bëjmë këtë gjë, sepse të njëjtën gjë bëjnë edhe vendet e tjera. Tani, meqë… se si tha oreksi, vjen duke ngrënë. Isha në Berlin dhe kishim dhe kolegë të Mali të zi, me të cilët ndamë mendime.
Dua të them ndaj me ju, për shembull, që nëse opozita këtu ankohet se ne kemi kaluar një numër të konsiderueshëm ligjesh dhe se s’kemi pasur kohë, dhe kemi kaluar nja 28, 200 në të njëjtën kohë ka kaluar Mali i zi. 200. Nga të cilat 123 lidheshin drejtpërdrejt me procesin e pwrafrimit të legjislacionit. Prandaj, dua ta kuptoj që kur rrimë këtu orë të tëra e tjera me radhë, ndoshta lodhemi, jo të gjithë, se ju e keni parë një pjesë e madhe dhe unë i kam kritikuar dhe kolegët e mi sot në mbledhje grupi. Unë kuptoj që mund të kesh 100 punë më të rëndësishme, por nder më të madh se të jesh në këtë sallë nuk ka. Shumë faleminderit.







