Rama nga Estonia: Putin zgjoi Europën, Trump e detyroi të reflektojë
Kryeministri Edi Rama, gjatë pjesëmarrjes në një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare për sigurinë dhe diplomacinë në Estoni, u shpreh se zhvillimet e fundit globale kanë detyruar Europën të përballet me realitetin e kërcënimeve gjeopolitike.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se ishte presidenti rus Vladimir Putin ai që “zgjoi” Europën, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ndikoi që kontinenti të reflektojë mbi dobësitë e veta.
Fjalimi i Ramës:
“Kur Trump u zgjodh tha se ‘Zoti kishte një plan dhe donte ta sillte në Shtëpinë e Bardhë për të shpëtuar SHBA’. Aso kohe thashë që ai tha gjysmën e të vërtetës sepse plani i Zotit ishte që të shpëtonte gjysmën e Europës.
Nuk e kuptoj kur europianët harxhojnë kohë me çfarë tha Trump. Unë besoj miqtë amerikanë kur thonë ‘merreni Presidentin Trump seriozisht, por jo fjalë për fjalë’. Pra pjesa serioze është që Trump ka bërë që Europa ta shohë veten me të gjitha dobësitë e saj.
Duke folur si kryeministër i Shqipërisë dhe një veteran mes liderëve, një vend që kërkon të hyjë në BE, kam dëgjuar kaq shumë herë ‘ju duam në Europë’, por kurrë nuk ndodhte të hidhnin një hap.
Na duhej Putin që të zgjoheshin dhe të kuptonin që kjo gjëja gjeopolitike qenka reale, kërcënimi gjeopolitik ishte real.
Nga njëra anë Putini e bëri Europën të zgjohej dhe të përshpejtonte procesin në përgjithësi dhe Trump e ndihmoi Europën të kuptonte që duhej të mblidhte veten.”
Rama ndaloi gjithashtu tek çështja e shpenzimeve të mbrojtjes, duke theksuar se Europa duhet të ndryshojë qasjen dhe të mos mbetet vetëm në përqindje formale.
“Ajo që shoh si problem është shkëputja tërësore e diskutimit tonë, midis asaj se çfarë duhet të bëjmë në pjesën ushtarake dhe me gjithë pjesën tjetër, por këto janë të ndërlidhura.
Kam frikë se nëse këto shpenzime të mbrojtjes mbeten në përqindje abstrakte dhe nuk lidhen me produktivitetin industrial dhe konkurrueshmërinë në Europë dhe me integrimin e prokurimeve, inovacionin në përgjithësi, legjitimitetin demokratik për Europën jo vetëm për qeveritë e zgjedhura, ka gjasë që Europa të ketë më shumë armë, por të jetë më e dobët”, u shpreh Rama.







