Turqia rihap kufirin me Sirinë pas 12 vitesh
Turqia rihapi sot një nga pikëkalimet kufitare me Sirinë për udhëtimin civil, pas një mbylljeje 12-vjeçare, duke sinjalizuar përmirësim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Sipas medias shtetërore “Anadolu”, mbajtësit e pasaportave tashmë mund të kalojnë përmes portës Akçakale në provincën Sanliurfa. Ky pikëkalim ishte mbyllur për trafikun civil në vitin 2014 për shkak të luftës civile në Siri dhe ishte përdorur vetëm për ndihma humanitare.
Kryetari i bashkisë së Akçakales, Abdulhakim Ayhan, bëri të ditur se rihapja shënon një hap të rëndësishëm. Akçakale ka shërbyer edhe si pikë nisjeje për operacionin ushtarak të Turqisë në vitin 2019 në veri të Sirisë.
Përballë kufirit ndodhet qyteti sirian Tal-Abyad, aktualisht nën administrimin e qeverisë kalimtare siriane. Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Sirisë kanë qenë të tensionuara që nga fillimi i luftës civile në vitin 2011.







