“Grazie Edi” – Meloni reagon për marrëveshjen e emigrantëve
Një reagim ka ardhur nga Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, pas lajmeve në mediat ndërkombëtare për një ndërprerje të mundshme të marrëveshjes së emigrantëve në vitin 2030. Lajmi u bë viral pas një interviste të Ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha.
Fillimisht reagoi Hoxha, i cili sqaroi se deklarata e tij ishte keqkuptuar. Ai tha se gjatë një pyetjeje në Bruksel për rinovimin e protokollit pas 5 vitesh, ishte përgjigjur se nuk ishte i sigurt, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria mund të jetë pjesë e BE-së dhe situata mund të ndryshojë. Sipas tij, kjo ishte një përgjigje spontane dhe jo ndryshim qëndrimi.
“Një sqarim i nevojshëm: Një gazetar në Bruksel më pyeti nëse protokolli ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare. Unë iu përgjigja duke thënë: ‘Nuk jam i sigurt’, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria do të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata, për rrjedhojë, do të jetë ndryshe.”
Më pas reagoi Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se marrëveshja mbetet në fuqi dhe nuk ka asnjë pasiguri për vazhdimësinë e saj.
“Për të gjithë gazetarët nga Italia dhe më gjerë, që po më kontaktojnë për një citim të keqinterpretuar nga një media pas intervistës së ministrit të Jashtëm shqiptar: dua të ritheksoj qartë dhe njëherë e përgjithmonë se protokolli ynë me Italinë do të qëndrojë në fuqi për sa kohë që Italia dëshiron.”
Në fund reagoi edhe Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila shpërndau postimin e Ramës duke e shoqëruar me mesazhin: “Grazie Edi.”







