Shpërthim tragjik në fabrikë fishekzjarrësh në Kinë, 21 viktima
Të paktën 21 persona humbën jetën dhe 61 të tjerë u plagosën pas një shpërthimi në një fabrikë fishekzjarrësh në Kinë, raportoi media shtetërore.
Sipas agjencisë Xinhua, shpërthimi ndodhi në qytetin Liuyang, në Provincën Hunan, një zonë e njohur si qendër e industrisë së fishekzjarrëve në vend.
Presidenti Xi Jinping urdhëroi ekipet e kërkim-shpëtimit të bëjnë përpjekje maksimale për gjetjen e të zhdukurve dhe trajtimin e të plagosurve, ndërsa kërkoi që shkaku i shpërthimit të hetohet sa më shpejt dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Kina është një nga prodhuesit më të mëdhenj të fishekzjarrëve në botë, por aksidente të tilla kanë ndodhur shpesh gjatë viteve të fundit, pavarësisht masave të shtuara për sigurinë.
Një incident i ngjashëm u shënua edhe në qershor 2025 në Hunan, ku humbën jetën të paktën nëntë persona.







