Rama në Jerevan: Bashkimi i plotë i Europës është thelbësor
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbërriti në Jerevan, Armeni, për të marrë pjesë në Samitin e 8-të të Komunitetit Politik Europian, ku marrin pjesë 48 liderë shtetesh dhe qeverish nga i gjithë kontinenti, si dhe për herë të parë edhe Kanadaja.
Në një prononcim për mediat, Rama theksoi se samiti përfaqëson një mundësi për të ndarë ambiciet dhe shqetësimet e përbashkëta të Europës, si dhe për të forcuar bashkëpunimin mes vendeve.
Ai u ndal edhe te rëndësia e forcimit të rolit të NATO-s, duke theksuar se Europa duhet të mbështetet më shumë në shtyllën e saj brenda aleancës.
I pyetur për perspektivën e zgjerimit, Rama u shpreh se një Bashkim Europian i paplotë është më i dobët dhe më i cenueshëm, ndërsa theksoi nevojën për veprim më të shpejtë dhe vendimmarrje strategjike për të ardhmen e kontinentit.
Në vijim, Rama dhe delegacioni i tij u pritën nga kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan.







