×
Wednesday, April 29, 2026

Begaj në Samitin e Dubrovnikut: Ballkani Perëndimor, front strategjik i Evropës dhe kyç për të ardhmen e BE-së

April 28, 2026


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në Samitin e 11-të të Nismës së Tre Deteve, të zhvilluar në Dubrovnik, një platformë që bashkon vendet anëtare të Bashkimit Evropian për të forcuar bashkëpunimin në energji, transport dhe digjitalizim.

Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit theksoi rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të rajonit në arkitekturën evropiane të sigurisë dhe zhvillimit. “Ballkani Perëndimor nuk është më periferi, por front strategjik i Evropës”, u shpreh ai, duke vënë theksin te nevoja për integrim dhe bashkëpunim më të thelluar rajonal.

Presidenti e cilësoi Nismën e Tre Deteve si një histori suksesi, që në vetëm një dekadë ka kaluar nga ide në projekte konkrete me ndikim real ekonomik dhe strategjik. Sipas tij, kjo platformë tashmë po gjeneron investime dhe po krijon lidhje të drejtpërdrejta mes vendeve pjesëmarrëse.

Duke folur për sfidat aktuale, Begaj nënvizoi se Evropa ndodhet në një moment vendimtar, përballë zhvillimeve gjeopolitike, pasigurive ekonomike dhe transformimeve në energji dhe teknologji. Ai theksoi se këto sfida kërkojnë më shumë se koordinim, duke kërkuar lidership dhe vizion afatgjatë.

Në lidhje me procesin e integrimit, Presidenti deklaroi se zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk duhet parë si një çështje dytësore, por si një investim strategjik për një Evropë më të sigurt dhe më konkurruese.

Duke u ndalur te Shqipëria, Begaj theksoi rëndësinë e projekteve infrastrukturore dhe të lidhshmërisë, duke i konsideruar ato si faktorë kyç për zhvillimin ekonomik dhe për afrimin me standardet evropiane.

Ai përmendi gjithashtu projektet në fushën e energjisë dhe transportit, duke i cilësuar si instrumente transformuese që ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin dhe tërheqjen e investimeve në rajon.

Në përmbyllje, Presidenti rikonfirmoi objektivin strategjik të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se viti 2030 mbetet një synim i qartë për vendin.




Comments are closed.