Shqipëria firmos marrëveshje energjetike me SHBA dhe partnerë greko-amerikanë, Guilfoyle: vendi me rëndësi strategjike për rajonin
Qeveria shqiptare ka firmosur këtë të martë një marrëveshje të rëndësishme në fushën e energjisë me një kompani amerikane dhe një partner greko-amerikan, në kuadër të projekteve për zhvillimin e infrastrukturës energjetike dhe furnizimit me gaz natyror.
Në ceremoninë e zhvilluar në Tiranë mori pjesë edhe ambasadorja e SHBA në Athinë, Kimberly Guilfoyle, e cila vlerësoi rolin strategjik të Shqipërisë në rajon dhe bashkëpunimin trepalësh me SHBA-në dhe Greqinë.
“Jam shumë e lumtur që jam sot këtu, krah mikut tonë shumë të mirë Edi Rama. Ka dy marrëveshje që po nënshkruhen sot, si ajo për gazin e lëngshëm natyror. Ky ndërveprim forcon sigurinë energjetike dhe kombëtare të Shqipërisë”, u shpreh ajo.
Guilfoyle theksoi gjithashtu se memorandumi për ndërtimin e një qendre energjetike dhe një impianti gazi është një hap i rëndësishëm drejt një sistemi energjetik më të qëndrueshëm dhe modern për vendin.
Sipas saj, Shqipëria ka një rëndësi të veçantë strategjike për Ballkanin dhe Europën, ndërsa bashkëpunimi mes SHBA-së, Shqipërisë dhe Greqisë sjell përfitime për të gjithë rajonin.
“Ato janë më shumë se fqinje, ndajnë interesa sigurie dhe lidhje ekonomike. Kur SHBA, Shqipëria dhe Greqia punojnë së bashku, i gjithë Ballkani Perëndimor përfiton”, shtoi ajo.







