Hapet segmenti i zgjeruar i autostradës Tiranë–Durrës deri te mbikalimi i Rinasit, lehtësohet ndjeshëm qarkullimi
Segmenti i zgjeruar i autostradës Tiranë–Durrës, deri te mbikalimi i Rinasit, është hapur tashmë plotësisht për qarkullimin e automjeteve, duke shënuar një hap të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në vend.
Në inaugurimin dhe inspektimin e këtij aksi mori pjesë kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, si dhe drejtues të Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Sipas autoriteteve, segmenti tashmë është kthyer në një autostradë të standardit të lartë (Kategoria A), ku janë shtuar edhe dy korsi të reja për të përballuar fluksin e shtuar të automjeteve, sidomos gjatë sezonit turistik.
Ministri Enea Karakaçi bëri të ditur se puna do të vijojë me fazën e tretë të projektit, që shtrihet nga mbikalimi i Rinasit deri te ai i Laknasit, ndërsa paralelisht po avancojnë edhe projekte të tjera strategjike.
“Kemi aksin Kashar-Lekaj dhe jemi në fazën përmbyllëse të dokumentacionit. Aksi Milot-Balldren është në fazën përmbyllëse dhe besoj që për dy javë do të kemi shpalljen e fituesit. Jemi në rrugën finale, do të jepet vlerësimi. Në sezonin e verës krijon gjithë zhbllokimin e Adriatikut”, u shpreh ai.
Ndërkohë, në fokus mbeten edhe segmentet e tjera të rëndësishme si pjesë e Korridorit Blu, përfshirë Kashar–Lekaj dhe Lekaj–Fier, të cilat synojnë të lehtësojnë ndjeshëm qarkullimin dhe të përmirësojnë lidhjen mes zonave bregdetare dhe pjesës tjetër të vendit.







