700 km rrugë të reja, hekurudha dhe aeroporte për Shqipërinë në BE
Në katër vitet e ardhshme, Shqipëria do të hyjë në një fazë të re zhvillimi infrastrukturor, me një program kombëtar që synon modernizimin dhe përfundimin e rrjeteve rrugore, hekurudhore, ajrore, detare dhe digjitale, me objektiv kthimin e Shqipërisë në një nyjë kyçe në Ballkanin Perëndimor, të integruar plotësisht në rrjetet transeuropiane të transportit dhe energjisë deri në vitin 2030.
Në qendër të programit të qeverisë, i cili u miratua sot në seancën plenare të Kuvendit, qëndron ndërtimi i 700 kilometrave të reja rrugë, të konceptuara si bosht zhvillimi kombëtar, turistik dhe ekonomik. Do të përfundohet Korridori Blu, me segmentet strategjike si Milot–Balldren, Milot–Thumanë, Kashar–Pezë–Lekaj dhe Lekaj–Konjat–Fier, duke lidhur veriun, qendrën dhe jugun e vendit.
Bajpasi i Elbasanit do të mbyllë nyjën mes autostradës Tiranë–Durrës dhe Korridorit VIII, duke krijuar lidhje funksionale dhe qarkullim më të shpejtë.
Riviera shqiptare do të ketë një infrastrukturë tërësisht të re: do të ndërtohet Rruga e Bregut (Dhërmi–Sarandë), bajpasi i Sarandës dhe Rruga e Ksamilit, duke garantuar akses të pandërprerë në një prej destinacioneve më të rëndësishme turistike të vendit.
Në juglindje, do të përfundohet Unaza e Çajupit (Gjirokastër–Libohovë–Kardhiq), Rruga e Vjosës (Ersekë–Përmet–Tepelenë) dhe aksi Berat–Skrapar–Gramsh, të cilat krijojnë lidhje të reja ndër rajonale dhe nxisin zhvillimin e turizmit kulturor e natyror.
Investimet do të shtrihen edhe në zonat më të thella. Rruga e Liqeneve (Rrëshen–Burrel) dhe Rruga e Maleve (Vau i Dejës–Pukë–Fushë-Arrëz) do të hapin akses të qëndrueshëm për veriun, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim ekonomik.
Paralelisht, transporti hekurudhor do të rilindë si pjesë thelbësore e lëvizshmërisë moderne. Do të nis funksionimin linja Tiranë–Durrës–Rinas, ndërsa segmentet Tiranë Qendër–PTT dhe Sukth–Porto Romano do të integrojnë rrjetin me portet dhe qendrat industriale.
Hekurudha do të marrë dimension ndërkombëtar me ndërtimin e linjave Vorë–Hani i Hotit, Durrës–Rrogozhinë, Rrogozhinë–Pogradec dhe Vlorë–Aeroporti i Vlorë, me një investim prej mbi 800 milionë euro, që e rikthen Shqipërinë në qarkullimin hekurudhor paneuropian.
Në transportin publik, themelimi i agjencisë shtetërore MobAl do të krijojë rrjetin kombëtar të shërbimit, me 7 itinerare turistike, transport shkollor në zonat me akses të vështirë dhe flotë fillestare me 100 autobusë elektrikë. Sistemi do të jetë i digjitalizuar me biletim elektronik dhe monitorim në kohë reale për transparencë dhe cilësi.
Njëkohësisht, Shqipëria synon të rrisë ndjeshëm kapacitetet ajrore. Do të përfundohet Aeroporti i Vlorës, do të hapet Aeroporti i Jugut (Gjirokastër) dhe do të zgjerohet Aeroporti i Tiranës për t’iu përgjigjur rritjes së fluksit të pasagjerëve dhe destinacioneve.
Akademia e Aviacionit, që çel dyert këtë shtator, do të përgatisë pilotët dhe teknikët që do të garantojnë sigurinë dhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë në transportin ajror.
Sa i takon transportit detar, do të ndërtohet porti i ri tregtar i Porto Romano-s, i integruar me rrjetin hekurudhor, ndërsa Saranda, Vlora dhe Kepi i Rodonit do të përfshihen në masterplanin e marinave turistike, duke e kthyer Shqipërinë në një pikë kyçe të Mesdheut për turizmin detar dhe logjistikën.
Zhvillimi i qëndrueshëm do të mbështetet me investime në flota elektrike, stacione karikimi, mobilim modern të rrugëve dhe digjitalizim të shërbimeve, për të ulur ndotjen dhe për të rritur efikasitetin energjetik.
Deri në vitin 2030, do të garantohet ujë i pijshëm 24 orë në të gjitha zonat urbane dhe në mbi 80% të zonave rurale, me një sistem të unifikuar, të digjitalizuar dhe efikas.
Ky program vjen si vijim i një dekade transformimesh të thella që kanë ndodhur tashmë. Janë ndërtuar 935 km rrugë, 21 km ura dhe 12 km tunele. Janë përfunduar vepra madhore si Rruga e Arbrit me tunelin e Murrizit, bajpaset e Fierit, Tepelenës dhe Vlorës, Unaza e Madhe e Tiranës, tuneli i Llogorasë, tuneli i Skërficës, segmentet Palasë–Dhërmi, Shëngjin–Velipojë, si dhe ndërhyrje kyçe në veri si për ndërtimin e urës së Drinit apo Kthesës së Bërdicës.







