Italia bllokon dërgimin e vaksinës së AstraZenecas në Australi

04 Mar 2021 21:31
Shpërndaje:

Qeveria italiane ka bllokuar eksportin e vaksinës së AstraZenecas për në Australi. Përmes këtij vendimi është bllokuar dërgimi i 250.000 dozave të vaksinës, që janë prodhuar nga fabrika e AstraZenecas që gjendet në Itali.

Italia është shteti i parë i Bashkimit Evropian, që po zbaton rregullat e reja të bllokut, duke ndaluar eksportet nga kompanitë që prodhojnë vaksina, e të cilat kanë dështuar që të përmbushin obligimet që kanë me BE-në.

Ky vendim i Qeverisë italiane, sipas mediave, është mbështetur edhe nga Komisioni Evropian.

Reklamë Ola

AstraZeneca ka thënë se do të sigurojë vetëm 40 për qind të furnizimit me vaksina për vendet anëtare të BE-së, që do të distribuohen në tre muajt e parë të këtij viti. Kjo kompani britanike ka thënë se nuk do të arrijë të përmbushë obligimet që ka ndaj shteteve të bllokut evropian, për shkak të problemeve me prodhimin e vaksinave.

Në muajin janar, kryeministri i atëhershëm i Italisë, Giuseppe Conte kishte thënë se vonesat për furnizim me vaksina të AstraZenecas, por edhe të kompanisë Pfizer, janë “të papranueshme” dhe i kishte akuzuar këto kompani se kanë shkelur kontratat.

Reklamë InterMedika

Pasardhësi i tij, Mario Draghi, që mori detyrën e kryeministrit gjatë këtij muaji, ka thënë se ka për prioritet përshpejtimin e fushatës së vaksinimit të popullatës kundër koronavirusit. Ai ka theksuar po ashtu se rregullat për furnizim duhet të zbatohen në mënyrë rigoroze.

BE-ja gjerësisht është kritikuar për ritmin e ngadaltë të fushatës së saj të vaksinimit.

Sipas skemës së BE-së për vaksinim, që u miratua qershorin e vitit të kaluar, blloku ka negociuar me kompanitë prodhuese të vaksinave në emër të shteteve anëtare, që të sigurohen dozat e mjaftueshme për vaklsnimin e popullatës.

Ende nuk ka asnjë reagim nga BE-ja apo AstraZeneca për vendimin e Italisë.
Australia nisi programin e vaksinimit gjatë javës së kaluar duke përdorur vaksinat e Pfizer/BioNTech. Ky shtet ka planifikuar që të nisë administrimin e vaksinave të AstraZenecas më 5 mars.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating
0
Would love your thoughts, please comment.x