Zëvendësministri i Brendshëm i Greqisë, Vangelis Liakos, njoftoi të shtunën dorëheqjen pas raportimeve se kompanitë në pronësi të dy motrave të tij kishin përfituar kontrata publike të drejtpërdrejta me vlerë mbi 1,4 milionë euro.
Sipas POLITICO, të ardhurat e kompanive nga kontratat me institucionet publike janë tetëfishuar që prej vitit 2019, kur Liakos u zgjodh deputet.
Në një postim në rrjetet sociale, Liakos deklaroi se ishte bërë objekt i një “sulmi imoral dhe vulgar”, duke shtuar se vendimi për dorëheqje synonte t’i jepte fund asaj që ai e cilësoi si “kanibalizëm parazgjedhor”.
“Që në momentin e parë kam deklaruar se nuk kam pasur asnjë përfshirje në aktivitetet profesionale të motrave të mia dhe se nuk ekziston një përgjegjësi familjare”, u shpreh ai. Motrat e tij nuk kanë komentuar lidhur me akuzat.
Liakos mori detyrën më 13 nëntor, pas dorëheqjes së Lazaros Tsavdaridis, i cili u largua pas raportimeve se vajza e tij ishte regjistruar në një ekip të rinjsh të hendbollit për të përfituar pikë shtesë në provimet e pranimit në universitet, pa marrë pjesë realisht në aktivitetin sportiv. Tsavdaridis i ka mohuar akuzat.
Partitë opozitare kishin kërkuar largimin e Liakos, duke argumentuar se ai nuk kishte më legjitimitetin politik dhe moral për të qëndruar në detyrë. Kritika pati edhe nga radhët e partisë qeverisëse Demokracia e Re, ku disa deputetë kërkuan dorëheqjen e tij.
Largimi përbën një tjetër goditje politike për qeverinë e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, në prag të zgjedhjeve parlamentare që pritet të zhvillohen në pranverën e vitit 2027, megjithëse ende nuk është përcaktuar një datë zyrtare.
Sipas POLITICO, mbështetja për Demokracinë e Re ka rënë ndjeshëm që prej zgjedhjeve të vitit 2023, mes rritjes së inflacionit dhe hetimeve për mashtrime të dyshuara me fondet e Bashkimit Evropian.


