Rumania kërkon veprim të përbashkët të NATO-s kundër kërcënimeve hibride ruse

27 Nov 2026 • 18:24
Shpërndaje:

Rumania i ka kërkuar NATO-s të ndërmarrë veprime të koordinuara për t’iu kundërvënë kërcënimeve hibride që vijnë nga Rusia, duke paralajmëruar për përkeqësimin e situatës së sigurisë në rajonin e Detit të Zi.

Në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt”, ministri i Jashtëm rumun, Dan Neculăescu, theksoi nevojën për një qasje të përbashkët të aleatëve ndaj sulmeve kibernetike, fushatave të dezinformimit dhe formave të tjera të kërcënimeve hibride.

“Deri më tani, përballja me këto kërcënime ka qenë çështje e përgjegjësisë kombëtare brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, deklaroi Neculăescu.

Reklamë Ola

Ai kërkoi një koordinim më të ngushtë mes vendeve aleate për identifikimin e autorëve të sulmeve dhe lidhjeve të mundshme ndërmjet incidenteve të regjistruara në vende të ndryshme evropiane.

Sipas ministrit, disa vende anëtare mbështesin përfshirjen e mbrojtjes ndaj kërcënimeve hibride në detyrat operacionale të NATO-s, ndërsa të tjera shprehin shqetësime për rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve me Moskën.

Reklamë InterMedika

Neculăescu akuzoi gjithashtu Rusinë se synon të vendosë kontrollin ekskluziv mbi Detin e Zi, duke e cilësuar rajonin si një pikë gjithnjë e më të cenueshme të sigurisë evropiane.

“Askund tjetër në Evropë nuk përjetojmë kaq shumë incidente që ia atribuojmë Rusisë: sulme me dronë, mina detare dhe sulme ndaj anijeve tregtare”, u shpreh ai.

Sipas raportimeve, anijet tregtare pranë brigjeve rumune janë përballur së fundmi me sulme që dyshohet se lidhen me Rusinë, duke shkaktuar viktima, të plagosur dhe dëme materiale.

Në përgjigje të këtyre incidenteve, NATO-ja ka shtuar patrullimet ajrore dhe detare në rajon, ndërsa Bukureshti kërkon forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet aleatëve për garantimin e sigurisë në Detin e Zi.