Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, paralajmëroi se Italia nuk do të miratojë marrëveshjen për buxhetin e ardhshëm afatgjatë të Bashkimit Evropian në kushtet aktuale, duke theksuar se vendet anëtare mbeten ende larg një kompromisi.
“Unë nuk do të nënshkruaj në këto kushte. Jemi vite dritë larg një zgjidhjeje”, deklaroi Meloni gjatë takimit të liderëve evropianë në Bruksel, ku u diskutua kuadri financiar i BE-së për periudhën 2028–2034.
Sipas gazetës italiane “Corriere della Sera”, propozimi aktual parashikon rritjen e kontributeve financiare të Italisë në buxhetin e përbashkët, ndërkohë që redukton fondet që vendi përfiton. Kjo do të krijonte një hendek financiar të vlerësuar në rreth 3 miliardë euro gjatë periudhës shtatëvjeçare.
Qeveria italiane i konsideron të papranueshme kushtet e propozuara, veçanërisht për shkak të reduktimit të fondeve për politikën e kohezionit dhe bujqësinë.
Shqetësimet e Romës lidhen gjithashtu me rritjen e kontributeve në të paktën katër nga pesë kategoritë e burimeve të veta të BE-së, përfshirë ato që lidhen me mbetjet elektronike dhe Sistemin e Tregtimit të Emetimeve.
Meloni kërkoi rishikimin e kritereve për shpërndarjen e fondeve evropiane, duke argumentuar se mekanizmat aktualë e penalizojnë Italinë në mënyrë disproporcionale krahasuar me vendet e tjera anëtare.
“Ka një çështje që ka të bëjë me burimet e veta që prek më shumë Italinë se sa vendet e tjera dhe ka edhe një problem me kriteret e përdorura për ndarjen e fondeve, të cilat përfundojnë duke na penalizuar. E gjithë kjo duhet të ribalancohet”, deklaroi ajo.
Kryeministrja italiane nënvizoi se Roma do të japë miratimin e saj vetëm nëse marrëveshja përfundimtare garanton kushte të pranueshme dhe pasqyron interesat kombëtare të Italisë.
Qëndrimi i Melonit pasqyron ndarjet e vazhdueshme mes vendeve anëtare për financimin dhe shpërndarjen e burimeve të buxhetit të ardhshëm evropian, miratimi i të cilit kërkon unanimitetin e 27 vendeve anëtare.


